Sport

Atletja bjelloruse, Kristina Timanovskaya largohet nga Japonia


Atletja bjelloruse, Kristina Timanovskaya, që nuk iu bind urdhërave për të lënë Lojërat Olimpike më herët dhe për t’u rikthyer në vendlindje, tashmë është larguar nga Japonia dhe po shkon drejt Vjenës.

24-vjeçarja pritej që të udhëtonte drejt Varshavës, pasi Polonia i kishte ofruar një vizë humanitare, por në momentet e fundit ajo kishte ndryshuar destinacion dhe u tha gazetarëve se po shkonte drejt Vjenës.

“Unë e dua vendin tim dhe nuk e tradhtova vendin tim”, tha ajo për “BBC”, duke vijuar më tej se “kjo ka të bëjë me gabimet që janë bërë nga zyrtarët tanë në Olimpiadë”.

Atletja shprehu frikën e saj për sigurinë fizike pasi u detyrua të linte Lojërat Olimpike dhe të kthehej në Bjellorusi, për shkak se kishte kritikuar trajnerin e saj.

Timanovskaya-s iu dha mbrojtje nga policia e Tokios para se të transferohej në ambasadën polake në kryeqytetin japonez, ku qëndroi deri të mërkurën në mëngjes, para se largohej nga Japonia.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka nisur një hetim zyrtar mbi pretendimet se Bjellorusia u përpoq të detyronte Timanovskaya-n të kthehej në atdhe.

“Ne duhet të përcaktojmë faktet e plota, që mund të kërkojnë kohë,” tha zëdhënësi i IOC, Mark Adams. “Ndërkohë shqetësimi ynë i parë është për atleten”, vijoi te thoshte ai.

IOC ka kërkuar që Komiteti Olimpik Kombëtar i Bjellorusisë të paraqesë raportin e tij mbi incidentin deri në fund të së martës.

Ndërkohë, bashkëshorti i atletes, Arseniy Zdanevich-i, ka ikur nga Bjellorusia dhe aktualisht është në Ukrainë. Ai i tha gazetarëve ukrainas të “BBC” se ata si çift nuk ishte përfshirë kurrë në politikë dhe do të ktheheshin në Bjellorusi nëse nuk përballeshin me akuza penale.

Qeveria Bjelloruse ende nuk ka reaguar mbi vendimin polak për t’i ofruar atletes një vizë humanitare. Por, reagime ka pasur nga shumë persona të tjerë.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Marcin Przydacz, foli per “Reuters” duke thënë se atletja tashmë është “nen kujdesin e shërbimit diplomatik polak”, por nuk dha më shumë detaje në lidhje me rrugën e fluturimit që do të ndiqte Timanovskaya “për arsye sigurie”.

“Një shembull tjetër i brutalitetit të shtypjes së regjimit të Lukashenkos”, do e quante, Nabila Massrali, zëdhenëse e shefit të politikës së jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell-it.

“Ne i shprehim solidaritetin tonë të plotë Krystina Timanovskaya-s dhe përgëzojmë shtetet anëtare të (BE) që i ofruan mbështetjen e tyre. Ne mirëpresim faktin që asaj tani i është dhënë një vizë humanitare nga Polonia,” tha Massral-i për “Reuters”.

Garuesja duhej të konkuronte të hënën në garën e 200 metrave. Ajo ishte ankuar në mediat sociale se ishte futur në garat e 4×400 metra, pasi shokët e ekipit nuk kishin të drejtë të konkuronin.

Video e saj mori kritika nga media shtetrore bjelloruse e cila e cilësoi Timanovskaya-n si një person që i mungone “fryma e ekipit”.

Timanovskaya tha se zyrtarët kishin ardhur në dhomën e saj dhe i kishin dhënë një orë kohë për të bërë gati valixhet para se të niseshin në aeroportin “Haneda” të Tokios.

Ajo tha gjithashtu se ishte “nën presion” nga zyrtarët e ekipit për t’u kthyer në shtëpi dhe i kërkoi ndihmë IOC.

Heather McGill, studiuese e “Amnesty International” për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, tha se administrata sportive e vendit i ishte nënshtruar “kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë” nën Presidentin Lukashenko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore