Sport

Atletico Madrid kërkon yllin e Milan-it


Pas lajmit për shitjen e Sandro Tonalit te Newcastle United, duket se një tjetër yll i Milan-it ka përfunduar në vëmendjen e një klubi nga jashtë Italisë.

Sipas një raporti nga gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio, Atletico Madrid po synon transferimin e superyllit të Milan-it, Theo Hernandez.

Nëse do të mbërrinte një ofertë zyrtare, atëherë Milan-i do të vlerësonte nëse do ta shesë apo jo lojtarin, veçanërisht pas asaj që ndodhi me Tonali-n.

Aktualisht, asnjë ofertë zyrtare nuk ka mbërritur ende në tavolinën e kuqezinjve , por në momentin që mbërrin ndonjë e tillë, thuhet se Milan-i do ta konsideronte vetëm mbi 80 milionë euro.

Kujtojmë që mbrojtësi francez doli pikërisht nga akademia e klubit të Atletico-s duke luajtur në ekipet e të rinjve nga viti 2007 deri në 2015, derisa luajti në ekipin B.

Është një klub që familja Hernandez e njeh shumë mirë, duke pasur parasysh që vëllai i tij Lucas luajti 110 ndeshje në klub, por kuqezinjtë duhet të mendojnë se si do të dukeshin nëse do të shisnin Tonali-n dhe Theo-n brenda një afati kalimtar.

Kujtojmë që Theo e rinovoi kontratën në sezonin e fundit me kuqezinjtë dhe kontrata aktuale e tij skadon në verën e vitit 2026.

Në sezonin e fundit, Theo pati paraqitje të shkëlqyer duke u paraqitur në 45 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilëve shënoi katër gola dhe dhuroi pesë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore