Lajme

Atiqi thotë se serbët u vunë nën presion nga Lista Serbe për ta nënshkruar peticionin


Erden Atiq

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, tha se serbët lokalë u vunë nën presion nga përfaqësues të Listës Serbe për ta nënshkruar peticionin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

“Shumica absolute e tyre kanë qenë nën presion dhe të detyruar nga eksponentë të Listës Serbe që të dalin dhe të nënshkruajnë peticionin”, deklaroi Atiq të enjten, duke komentuar mbi procesin e mbledhjes së nënshkrimeve që supozohet se do t’i hapin rrugën zgjedhjeve të reja në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve, punonjësit e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë morën një mesazh, ku u kërkohej t’i përgjigjen procesit. Në krye të këtyre institucioneve janë kryesisht njerëz nga Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë – që bojkotuan zgjedhjet e prillit 2023 dhe u larguan nga institucionet e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pranoi të enjten peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri. Pas pranimit të nënshkrimeve, nga konstatimi që është përmbushur kriteri i nevojshëm prej 20 për qind, brenda 45 ditëve duhet të organizohet procesi zgjedhor, ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës respektive apo jo.

Kriteri prej 20% u vlerësua “vështirë i arritshëm” nga pushteti, por nënshkrimet u mblodhën “brenda ditës” në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore