Lajme

“Atentati fiktiv” – Kryeprokurori i Shtetit as Kryeprokurori i PSRK nuk u informuar lidhur me pretendimet për atentat ndaj Kurtit


Albin Kurti

Për lajmin e çuditshëm të publikuar nga Radio Televizioni i Kosovës se ndaj kryeministrit, Albin Kurti, pati plan për atentat, kur ky i fundit u pyet ai nuk e mohoi.

Por, Kurti e as dikush nga kabineti i tij, apo mbrojtja e afërt nuk kanë informuar as u.d. Kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendi, e as Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ashtu siç e kërkon ligji.

“Për momentin në Zyrën tonë nuk ka ndonjë veprim në lidhje me këtë lajm”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”,  Kryeprokurori Besim Kelmendi.

“Jo nuk kam ndonjë informatë”, ka thënë në anën tjetër Kryeprokurori Isufaj.

Sipas Kodit të Procedurës Penale dhe ligjeve të aplikueshme secili institucion i sigurisë në Kosovë, përfshi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, e kanë obligim për të informuar menjëherë dhe pa asnjë vonesë Prokurorin e Shtetit nëse udhëheqësit kryesorë shtetërorë janë subjekt i kërcënimit ose dyshimeve që rrezikojnë jetën e tyre.

Fakti që nuk ka pasur kurrfarë njoftimi, tregon që në fakt as nuk ka ekzistuar një situatë e tillë.

Këtë e dëshmoi edhe vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut që mohoi kategorikisht pretendimet.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thanë nga MPB e Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër, Kurti i pyetur nga gazetarët për situatën, nuk e pohoi krejtësisht, por provoi të lë një hapësirë për interpretim.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate”, deklaroi Kurti.

Mediumi publik, pasditen e të shtunës, ka raportuar se institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se nga Serbia, ka përpjekje për vrasjen e Kurtit, derisa ai po qëndronte në Shkup pas mbledhjes së  Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore