Lajme

Asociacioni i Komunave themelon kolegjiumet e KKK-ve


AKK

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka organizuar takimin e parë përurues të Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve të Komunave për konsolidimin e strukturave të reja të dala nga zgjedhjet e fundit lokale.

Në takimin e AKK-së është shqyrtua dhe miratua Rregullorja e Punës, po ashtu është bërë edhe zgjedhja e Kryesisë dhe e Kryesuesit të këtij Kolegjiumi.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal i Klinës, Fadil Gashi është zgjedhur si Kryesues i Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve të Komunave në kuadër të strukturave të AKK-së.

Po ashtu, AKK në njoftim thotë se për Zëvendës Kryesueses është zgjedhur Arbënesha Kuqi nga komuna e Gjakovës, kurse anëtarë të tjerë të Kryesisë së Kolegjiumit janë zgjedhur Kryesuesit e Kuvendeve të Komunave: Mitrovicës së Jugut, Lipjanit, Obiliqit, Graçanicës, dhe Pejës.

AKK thotë se ky takim përveç kësaj, kishte për qëllim informimin e Kryesuesve të ri për rolin e AKK-së, aktivitetet lobuese të saj, përfshirë koordinimin e kërkesave komunale dhe krijimin e njëzëri të rekomandimeve që dalin nga strukturat e AKK-së.

“Kryesuesit e Kuvendeve po ashtu shqyrtuan planin e punës, me synim përcaktimin e objektivave në kuadër të zhvillimit të veprimtarisë së Kolegjiumit, në diskutimin e temave me interes dhe zhvillimin e aktiviteteve në të ardhmen”.

Kolegjiumet do të vazhdojnë të përforcojnë qëndrimet e tyre kundrejt institucioneve qendrore në konsultimin e projekt ligjeve të reja, akteve nënligjore që do të prekin kompetencat e pushtetit lokal në Kosovë me synim zhvillimin e politikave në fuqizimin e rolit dhe kompetencave komunale. Po ashtu prioritet mbetet edhe bashkëpunimi me partnerë të ndryshëm në realizimin e projekteve të ndryshme përmes përkrahjes financiare, ofrimin e shërbimeve të ndryshme sikurse janë punëtoritë, trajnimet dhe shkëmbimi i praktikave të mira komunale.

“Në funksion të koordinimit të aktiviteteve të saj, Kolegjiumi i Kryesuesve të Kuvendeve të Komunave konsideron shumë të rëndësishëm diskutimin më përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) sa i përket shqetësimeve të ngritura gjatë aktiviteteve në Kuvendet e Komunave”, thuhet në njoftim të AKK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore