Kosova

Ashton: Lajçaku e do suksesin e Kosovës, dialogu s’ka qenë asnjëherë i lehtë


Grupi për Ballkan është duke mbajtur konferencën “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, pjesëmarrëse Catherine Ashton, ish përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe ish-ndihmës-sekretari i shtetit amerikan, Philip Reeker.

Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, në një bashkëbisedim me ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, kanë diskutuar për vështirësitë në dialogun mes dy vendeve në kohën kur ajo e kishte ndërmjetësuar këtë proces para 10 viteve.

Ashton, deklaroi se dialogu nuk ka qenë “kurrë i lehtë”, dhe zbatimi i marrëveshjeve është gjithmonë më i vështirë sesa arritja e tyre.

“Shpresoj që e kuptoni sa të rëndësishëm jeni për mua”, ka thënë ajo, duke shtuar se beson që “e ardhmja e Kosovës do të jetë në Bashkimin Evropian”.

“Është e rëndësishme që dialogu të shihet si diçka që rrjedh në vazhdimësi, nuk më takon mua, apo Reekrit, ju takon juve. Dialogu ju takon juve dhe Serbisë”.

“BE-ja bën vazhdimisht kompromise të brendshme për të fituar diçka më të madhe, por pa hequr dorë nga parimet. Megjithatë, duket gjetur mënyra si mund të bëni ndryshime të vogla për të krijuar diçka më të madhe”, ka thënë Ashton.

Pavarësisht deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë i cili ka thënë se “Lajçaku ka rënë në kushtëzimet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç” sipas saj, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, “ia dëshiron të mirën Kosovës”.

Pjesëmarrësit Grupi për Ballkan në konferencën “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”.

“Lajçaku ka punuar për mua dhe me mua për shumë vjet dhe është person që e do suksesin e Kosovës”.

Reeker: Ajo që ka ndodhur para 10 vjeteve ka qenë e jashtëzakonshme

Gjatë diskutimit të organizuar nga Grupi për Ballkanin, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ish i dërguari amerikan Reeker u shpreh se në Prishtinë është duke parë zhvillim të madh të Kosovës, në krahasim me herën e parë kur ka qenë.

Për dialogun, tha se ka pasur zëra që nuk e kanë dëshiruar prezencën amerikane në këtë proces.

“Herën e parë që udhëtova në Bruksel, më thanë që të ulesha diku në qoshe të dhomës. Në fund të diskutimeve ata më pyesnin për ide e qëndrime të SHBA-së rreth procesit, dhe më pas më ftuan në tavolinë të dialogut”.

Sipas tij, i gjithë përparimi që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, është sepse ato kanë dashur diçka të tillë.

“Nëse ka pasur sukses është sepse dy palët kanë dashur të ketë sukses, duke i lënë anash emocionet dhe kanë arritur marrëveshje që do të mund të ofronin mundësi më të mira për qytetarët. Prandaj ekziston diplomacia”.

Ai ka shtuar se nga perspektikava e tij personale, “10 vite pas ata janë ende duke diskutuar për tabelat e veturave”.

Duke shtuar se ekzistenca e Bashkimit Evropian është shembulli më i mirë se çfarë vendimesh duhet të marrin liderë.

Ai ka përmendur se si është formuar blloku evropian në të mirë të qytetarëve duke i tejkaluar dallimet që ekzistojnë mes 27 vendeve anëtare.

“Ajo që ka ndodhur 10 vjet më parë ka qenë e jashtëzakonshme dhe ka treguar se çfarë mund të bëhet”, ka thënë diplomati i pensionuar amerikan, duke iu referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2013.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore