Shqipëria

ARRSH: Grupet e punës janë në terren për përmirësimin e situatës së përmbytjeve


Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se reshjet me intensitet të lartë shoqëruar me stuhi kanë përshkuar vendin duke sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve si në autostradën Tiranë-Durrës dhe Rogozhinë-Plepa, por pa bllokuar trafikun.

“Grupet e punës në bashkëpunim me Policinë Rrugore janë në terren për përmirësimin e situatës dhe vijimin e qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.

Sakaq, këshillohet që drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të prezencës së ujit në rrugë, të ecin me kujdes dhe të evitojnë daljet pasi pritet që reshjet të vazhdojnë.

Reshjet e dendura të shiut e kanë kthyer në kaotike lëvizshmërinë në kryeqytet.

Në zonën afër Pallatit me Shigjeta, një pjesë e aksit është përmbytur. Lumi Lana ka dalë nga shtrati në këtë zonë.

Tirana prej gati një ore është përfshirë nga reshje intensive shiu dhe shumë rrugë të tij gjenden në një situatë kaotike.

Nga parashikimet meteorologjike, në vendin tonë do të bien gati 90 milimetra shi teksa Shqipëria është prekur nga Ciaran, stuhia që po godet Evropën.

Ndërkohë, kryebashkiaku Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet pas stuhisë së shiut, që ka përshirë vendin orët e fundit.

Veliaj siguron se ekipet e Bashkisë janë në terren për çdo emergjencë, ndërsa bën thirrje që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112.

“Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, e ngjashme me stuhinë Ciara që ka goditur Firencen dhe Toskanën gjatë natës. Ju lutem tregoni kujdes në 24 orët në vijim dhe ulni lëvizjet e panevojshme gjersa situata të normalizohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, ekipet janë aktualisht në terren për çdo emergjencë.

“Ndihmoni fqinjët e moshuar në rast nevoje. Mirënjohje për mirëkuptimin! Tel: 112 për emergjencat. Bashkë. Pa panik e me solidaritet”, ka vijuar Veliaj.

Sakaq, një nga akset rrugore më të qarkullueshme autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, që kanë përfshirë vendin mesditën e sotme, të cilat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e makinave.

Në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, qarkullimi është bllokuar pasi rrugët janë përmbytur deri në disa centimetra.

Po ashtu në qytetin e Durrësit, kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi dhe rrugët janë përmbytur duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e makinave.

Kushtet e përkeqësuar atmosferike në gjirin e Vlorës dhe Shëngjin, sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit.

Sipas njoftimit të kapitenerisë së portit të Vlorës, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Ndërkaq në Shëngjin shpejtësia e erës në det hapur është 18m/s, ndërsa dallgëzimi ka arritur deri në 7 ballë.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet të jetë ditën e nesërme pas orës 20:00.

Gjithashtu si pasojë e motit të keq një polic 37 vjeç është plagosur, pasi gjatë patrullimit në terren, është shkëputur një objekt dhe i ka rënë në kokë.

Policia bën me dije se efektivi ndodhet në spital.

Konkretisht ngjarja ka ndodhur në afërsi të pallatit me shigjeta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore