Lajme

Arrestohet një polic nga hetuesit e IPK-së


Një polic është arrestuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit”.

“Hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacionet e para rreth dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar për këtë zyrtar policor nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale”.

Më 28 mars, 257 zyrtarë policorë janë hetuar gjatë vitit 2022 nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa 100 janë arrestuar, kurse janë rekomanduar 164 për suspendim.

Këto të dhëna i kishte bërë të ditur Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

“Ne fokus të IPK-së kanë qenë luftimi i korrupsionit në polici. Kemi 1697 ankesa nga qytetarët. Në fushën e parandalimit kemi hetuar 257 punonjës policorë, kemi arrestuar 108 punonjës, kemi rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve policorë”, kishte thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore