Lajme

Arrestohet i dyshuari që tentoi ta vrasë policin në Pejë, dërgohet në mbajtje për 48 orë


Prokuroria Themelore në Pejë.

Një person është arrestuar pasi që dyshohet se tentoi ta godasë me veturë një zyrtar të Policisë së Kosovës në Pejë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për paraburgim”, tha ai.

Në raportin 24-orësh policor u njoftua se viktima ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor, teksa ngjarja ka ndodhur në fshatin Ozdrim përderisa ngjarja është iniciuar si vrasje në tentativë.

“Raportohet se një i dyshuar i panjohur me veturë ka goditur zyrtarin policor viktimën mashkull kosovar dhe është larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, thuhej në raport.

Vetura e dyshuar është gjetur e braktisur, ndërsa lidhur me rastin ishte njoftuar prokurori.

Edhe më 20 nëntor, Policia e Kosovës, kishte bërë të ditur se dy zyrtarë policorë janë penguar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare të dielën në dy lokacione të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore