Lajme

Armatosja e FSK-së po e shqetëson Bërnabiç-in


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka deklaruar për TV Prva se është seriozisht e shqetësuar për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kurti thotë se ne po armatosemi, ndërsa dikush tjetër po e armatos atë. Unë jam i shqetësuar se sa mbështetje ka pasur ai që serbëve të mos i lejojë të drejtën themelore për të votuar, fillimisht në referendum dhe pastaj në zgjedhje”, tha Bërnabiç.

Ajo theksoi se gjëra të tilla destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për deklaratën e kryeministrit malazez në largim Zdravko Krivoikapiç, se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka shantazhuar me ushqime, Bërnabiç theksoi se është shumë e turpshme dhe se është fyerje e drejtpërdrejtë si për Serbinë ashtu edhe për presidentin Vuçiç.

“Është një gënjeshtër brutale. Askush nuk e ka shantazhuar, Vuçiç nuk ka pasur kontakt me të. Ne thjesht u përpoqëm ta presim bukur në Serbi, të kemi bashkëpunim të mirë pavarësisht se çfarë deklaratash vijnë nga Mali i Zi në Serbi”.

“Ne u përpoqëm t’u sigurojmë të gjithëve në rajon gjërat më të rëndësishme kur askush nuk i shkonte në mendje”.

Të shtunën e 16 prillit, mediat serbe kanë raportuar se Britania e Madhe është duke e furnizuar Kosovën me raketa anti-tank “Javelin” dhe “NLAW.

Por, ky dyshim i pakonfirmuar nga autoritetet britanike dhe kosovare, duket se ka shqetësuar shumë Serbinë, e cila në anën tjetër po armatoset nga Kina.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se ushtria  është furnizuar e vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne.

“Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aleatëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” ka shkruar Mehaj në Facebook të shtunën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore