Lajme

Arifi takohet me Hillin: Koordinimi me aleatët është garancë për të ardhmen e sigurt


Shqiprim Arifi dhe Christopher Hill

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, njoftoi se të mërkurën ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, me të cilin ka diskutuar për sfidat dhe gjetjen e zgjidhjeve për shqiptarët atje.

“Me ambasadorin Hill, vazhduam përpilimin e agjendave që fuqizojnë e sigurojnë strategji për të gjitha sfidat deri në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Për çdo zhvillim, koordinimi i ngushtë me aleatët tanë është garancë për të ardhmen e sigurtë”, ka shkruar Arifi në llogarinë e tij.

Diplomati amerikan në mars të këtij viti kishte premtuar që do t’i adresonte problemet dhe kërkesat e shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë, porse saktësonte se çështja e pakicës shqiptare në Serbi është çështje e shtetit serb dhe nuk ka të bëjë asgjë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kujtojmë se përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht që të ketë reciprocitet të të drejtave, të cilët kanë shprehur pakënaqësi me statusin e tyre në përgjithësi e posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore