Lajme

Apple ul prodhimin me 3 milionë iPhone për shkak të kërkesës së ulët


Kompania amerikane “Apple Inc.” planifikon të nxjerrë të paktën 3 milionë iPhone 14 më pak këtë vit nga sa pritej fillimisht.

Kjo, për shkak të kërkesës së dobët dhe pandemisë së vazhdueshme COVID-19 në Kinë.

Lajmi është raportuar nga “Bloomberg”, duke iu referuar njerëzve të njohur me plane të tilla.

“Apple” dhe furnitorët e saj planifikojnë të prodhojnë 87 milionë pajisje ose më pak, nga një objektiv i mëparshëm prej 90 milionë njësi.

Ulja erdhi kryesisht për shkak të kërkesës së dobët për modelet iPhone 14 dhe 14 Plus, të cilat janë ofertat më të lira të kompanisë në krahasim me linjën Pro.

Përveç kërkesës së dobët, kompania po përballet edhe me probleme të furnizimit në Zhengzhou, Kinë, ku ndodhet fabrika kryesore e montimit të iPhone, e cila aktualisht është nën një lockdown njëjavor për shkak të COVID-19.

Sipas një analize nga bankierët e Jefferies-it, shitjet e iPhone 14 dhe Plus ranë me shpejtësi pas lëshimit të tyre.

Kompania hoqi më parë planet për të rritur prodhimin e iPhone-ve të saj të rinj këtë vit pasi një rritje e pritshme e kërkesës nuk u realizua.

Në vend të kësaj, Apple thotë se kërkesa për pajisjet e saj iPhone 14 Pro dhe Pro Max mbetet e fortë, edhe pse prodhimi i këtyre telefonave do të kufizohet nga lockdown-i i Zhengzhou-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore