Aplikacione

Apple-i, i shqetësuar për shpërndarjen e aplikacioneve jashtë App Store-it


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, pretendon se lejimi i zhvilluesve për të shpërndarë aplikacione jashtë dyqanit të saj të aplikacioneve, App Store, do t’i “ekspozonte përdoruesit ndaj rreziqeve serioze të sigurisë”.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se në bazë të një raporti të ri nga kompania, argumentohet fuqimisht kundër lejimit të të ashtuquajturës ngarkesë anësore e aplikacioneve.

Lidhur me këto rreziqe të mundshme, raporti rendit një sërë problemesh hipotetike duke përfshirë ransomware-ët dhe mashtrimet financiare.

Kjo lëvizje vjen teksa Apple-i është nën presion nga rregullatorët dhe disa zhvillues mbi App Store-in.

Gjithashtu kompania është në pritje të rezultatit të betejës së saj ligjore me Epic Games-in për ato që studiot e lojërave i konsiderojnë si kushte të padrejta të vendosura nga Apple-i.

Epic Games-i nuk e ka fshehur ambicien e vet për të krijuar një vitrinë konkurruese. Mirëpo, kompania amerikane nuk lejon që dyqanet e aplikacioneve të palëve të treta të shkarkohen nga App Store-i i saj.

Nga ana tjetër, Apple-i është nën hetim në Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi politikat e App Store-it. Kjo pasi gjatë vitit të kaluar, një numër në rritje i zhvilluesve kanë folur kundër të ashtuquajturës “taksa e Apple-it”.

Edhe kundër rivalit kryesor të Apple-it, Google-it, ka pasur akuza të ngjashme. Kjo për shkak se edhe Google-i është i përfshirë në një betejë ligjore me Epic Games-in.

Një tjetër shqetësim i Apple-it është se rregullimi i ardhshëm i BE-së për tregjet digjitale mund të detyrojë në mënyrë efektive kompaninë të mundësojë anashkalimin.

BBC shkruan se raporti prej 16 faqesh nga Apple-i ngjan me një përmbledhje të të gjitha argumenteve të kompanisë kundër heqjes dorë nga kontrolli ekskluziv i shitjeve të aplikacioneve në platformat e veta iPhone dhe iPad.

“Disa kanë sugjeruar që ne duhet të krijojmë mënyra që zhvilluesit të shpërndajnë aplikacionet e tyre jashtë App Store-it, përmes faqeve të internetit ose dyqaneve të aplikacioneve të palëve të treta”, thuhet në raport.

Gjithashtu “lejimi i ngarkimit anësor do të degradonte sigurinë e platformës iOS dhe do t’i ekspozonte përdoruesit ndaj rreziqeve serioze të sigurisë”.

Në raport pretendohet se lejimi i ngarkimit anësor “do t’i ekspozonte përdoruesit ndaj mashtruesve të cilët do të shfrytëzojnë aplikacione për të mashtruar përdoruesit, sulmuar tiparet e sigurisë së iPhone-it dhe shkelin privatësinë e përdoruesit”.

Gjithashtu në raport përmendet edhe procesi i rishikimit të aplikacioneve të Apple-it, si mënyra kryesore për të mbrojtur përdoruesit nga kërcënimet.

Marco Arment, një zhvillues i mirënjohur prapa aplikacioneve të njohura Overcast dhe Instapaper, ka thënë më parë se ai është kundër ngarkimit anësor në iOS.

Në një reagim ndaj letrës së Apple-it, ai ka shkruar se “gjëja më e mirë që Apple-i mund të bënte për të mbrojtur sigurinë e iOS-it të reklamuar kaq shumë në atë PDF të anashkaluar është heqja e rregullave më antikonkurruese (blerjet në aplikacion)”.

“Pa to, asnjë qeveri nuk do të kishte arsye të mjaftueshme për të detyruar ndryshime më të mëdha si ngarkesa anësore ose dyqanet alternative të aplikacioneve”, ka shtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore