Shqipëria

Anulohet mbledhja e dy Qeverive, pritet takim në format më të ngushtë nëse pranon Kurti


Në një konferencë të paralajmëruar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se në kushtet e agravimit të situatës së Kosovës me Bashkinë Euroatlantike mbledhja e Qeverive nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

Sipas Ramës, pas një bisede me përfaqësuesin e lartë Evropian, Josep Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për t’u takuar në një format më të ngushtë me ministrat e Jashtëm dhe ato të Mbrojtjes për të folur mbi këtë situatë.

Por se kryeministri Kurti e ka refuzuar duke theksuar se “duhet të mbahet mbledhja siç ishte planifikuar”.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e Kurtit, shpresoj të ndryshojë”, tha Rama, i cili shtoi se, Kosova po shkon drejt sanksioneve.

Për Ramën takimi nuk është i mundur, pasi nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot.

Numri një i Qeverisë shqiptare njoftoi madje se i ka kërkuar kohë “autoriteteve perëndimore” që të mos shkojnë drejt sanksioneve për Qeverinë e Kosovës.

Por se Kosova me këtë kurs është në prag “të humnerës”.

Ai paralajmëroi se është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën që do të vihet në lëvizje, referuar sanksioneve nga Bashkësia Euroatlantike.

“Jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”.

Ndërkaq Rama u shpreh se ka qenë krah Qeverisë së Kosovës, kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës mos i mbani zgjedhjet në veri.

“Unë isha 100 për qind me Albinin që duheshin mbajtur sepse bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Kosovën”.

Sipas Ramës, ajo nuk ishte tekë e Kurtit po një qëndrim parimor.

Mirëpo sot “nuk ndajmë opinionin mbi mënyrën se si po veprohet, por si vend jemi 100 për qind kundër mënyrës si po veprohet”.

“Nuk kuptoj cila është strategjia dhe cili është interesi strategjik i Kosovës ku po hyn në një përplasje dramatike me bashkësinë euroatlantike”.

Ai theksoi se Qeveria që ai drejton është 100% kundër mënyrës se si po veprohet nga pala kosovare, njëjtë si aleatët strategjikë.

Në vijim të deklaratës së tij, kryeministri shqiptar foli edhe për draftin e propozuar nga ai për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës.

Ai në konferencë u shpreh se nuk pret që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të thotë bravo as që ta pranojë.

Por se, mimimalisht Kosova duhet të thotë se do e shohim.

“Ça problemi ka, merre shihe njëherë, mund të jetë komplet kot. Po iu siguroj që është top, se kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botëror”.

“Ata që e kanë parë në Paris, Berlin, kanë vetëm fjalë të mira. E keqja është që ka një pengesë psikologjike të fortë që ka të bëjë me natyrën e gjithë politikës së bërë nga të dy”.

Ai siguroi që drafti është “plot i formuluar nga ekspertët më të mirë”.

Për Ramën ka dy njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin, dhe në këtë pikë janë bashkë: Albin Kurti, dhe presidenti Vuçiç.

Arsyeja është e thjeshtë.

“Sepse për mënyrën se si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, iu duhet armiku i jashtëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore