Shqipëria

“Antidoti i modelit Veliaj në politikë”, Intervistë ekskluzive me kandidatin për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi


Të gjithë prozhektorët e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 do të jenë të drejtuara nga kryeqyteti më 14 maj.

“Kush merr Tiranën, ka fituar Shqipërinë”, ka qenë ndër vite motoja e një gare të ethshme për bashkitë e vendit.

Kërshëria mbetet në kampin e Partisë Demokratike, e cila bojkotoi së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim zgjedhjet vendore të vitit 2019.

Boshllëku 4-vjeçar u mbush nga kontestimet dhe pendesat e palëve brenda opozitës.

Edhe pse në frymën e përçarjes, selia blu zyrtarizoi më 5 dhjetor një rezultat që ishte i pritshëm në vazhdën e promovimeve brenda kësaj force politike.

Belind Këlliçi u përzgjodh me konsensus nga Primaret e Partisë Demokratike (me aprovimin e Partisë së Lirisë gjithashtu) si kandidati i duhur për të mposhtur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Dhe kjo përballje është e destinuar të vijojë në politikën e zgjedhësve shqiptarë.

Data shënonte 8 maj 2011.

Opozitari Edi Rama sfidonte ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha në garën për bashkinë e Tiranës.

Të dy figurat e promovuara nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve do të takoheshin sërish në zgjedhjet e mëpasshme parlamentare.

Në paditurinë dhe mosbindjen se historia do të ketë një përsëritje ciklike, gjurmët të bindin se çifti i të pangjashmëve Këlliçi-Veliaj janë kandidatët më të fortë të partive respektive “jo vetëm për postin e administratorit të kryeqytetit”.

Intervista e plotë:
– Çdo gjë është kundër jush dhe në favor të kundërshtarit tuaj përsa i përket parashikimeve paraprake në start të fushatës, a është ky një motivim më i madh për një rezultat thuajse të pamundur, fitores së zgjedhjeve nga opozita pas më shumë se një dekade?

Nëse çdo gjë është kundër meje, pro kujt është në çdo gjë? Pro aferës së inceneratorëve? Pro betonizimit dhe trafikut kaotik? Pro mungesës së parkingjeve, gjelbërimit dhe shfrytëzimit skllavëror të të miturve në landfillin e Sharrës? Ju nuk i përgjigjeni dot këtyre pyetje për dy arsye.

E para se jeni gazetar, dhe pavarësisht se keni sugjeruar një gjysmë përgjigje në pyetjen tuaj, ju takon të mos pozicionoheni. E dyta, sepse nuk ka banor në Tiranë që do të flijonte fëmijët e tij nga verbëria politike.

Njerëzit nuk zgjohen çdo mëngjes me motivin e parë për t’i dhënë 12 vjet pushtet kryebashkiakut. Kanë halle të tjera që nuk lidhen me karrierat politike. Në Tiranë ka dy perceptime, ai popullor dhe ai mediatik. Ju në pyetjen tuaj i referoheni atij mediatik. Nëse puna e kryebashkiakut do të fliste vetë, ç’nevojë do të kishte për kaq shumë propagandë?

Nëse kryebashkiaku do e kishte kaq të sigurtë mandatin e tretë, ç’nevojë do të kishte për t’ju dërguar mediave kasetat e kronikave të gatshme? Ç’nevojë do të kishte për të kontrolluar mediat, për të shpërndarë sa më shumë leje ndërtimi, për të shpërndarë ndihma ushqimore me listë emërore dhe karta identiteti?

Përse kryebashkiaku, kaq i sigurtë në popullaritetin e tij, del nga zyra me dhjetë truproja dhe fsheh kullat në fotografitë e tij? Përgjigjen e këtyre pyetjeve ju e dini por më takon mua ta them. Kryetari aktual i bashkisë nuk do garë, nuk është mësuar me garë, ka ardhur në PS nga një tjetër parti, ka bërë karrierë politike falë emërimit dhe aspak me garë të brendshme.

Unë jam antidoti i modelit të tij në politikë. Maloren e kam ngjitur vetë, duke garuar dhe fituar. Mua më motivon perceptimi popullor dhe banorët që takoj. Unë e kthej kokën pas dhe ndjehem krenar për atë që jam sot, një i ri që ka besuar se arsimimi është rruga e vetme për të lënë gjurmë. Kam garuar sepse besoj te fitorja me ndershmëri.

Kam garuar për një bursë studimi, kam garuar për të drejtuar një department në PD, për të drejtuar forumin rinor, për të qenë kandidat i opozitës. Unë e kam fituar jetesën me mund, me dije dhe punë të ndershme. Nuk kam miliarderë që blejnë media për mua dhe askënd në fund të ditës, për të cilin duhet të vjedh për ta paguar.

Më mjafton mbështetja popullore, besimi i qytetarëve te një i ri i papërlyer në afera që flenë në SPAK. Këtë e di i pari kundërshtari im, prandaj sulmoi primaret me megafonët e tij, sepse nuk mund të pranojë një garë të ndershme. Nuk ka asnjë akuzë publike ndaj meje dhe kjo e tërbon kundërshtarin që vetë është i zhytur në llum aferash.

Perceptimi popullor është se ajri që thithim në Tiranë është kanceroz, se Tirana i përket vetëm firmave të ndërtimit, se trafiku është vrastar dhe se lagjet pas fasadave janë për ibret. Mundësia që kryebashkiaku të qëndrojë 12 vjet në pushtet është më e vogël se ajo për të gjetur një vend parkimi në Tiranë.

– Fushata ka nisur pikërisht në terren ditët e fundit, së pari me angazhimin tuaj në kauzën e banorëve të pallateve në rrugën “Myslym Keta”, ku keni pasur ballafaqim edhe me strukturat e bashkisë por edhe me zyrtarë bashkiakë, së dyti ishte një gjest protestues ndaj nisjes së punimeve për teatrin Kombëtar, a ka filluar Belind Këlliçi të orientojë dalëngadalë manovrën e tij politike?

Fushatat nisin zyrtarisht 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Ajo që shihni përditë nga unë është opozitarizmi pa kompromis. Ngjarja te pallatet në Rr. “Myslym Keta” thjesht zgjatën orët e punës në terren, duke e shtrirë aktivitetin tim në 24 orë totale.

Por nuk është hera e parë që e gdhijmë me banorët për të ndaluar reprezaljet e natës, të cilat bëhen qëllimisht nga bashkia për t’iu fshehur syve të shqiptarëve. Kështu natën, Këshilli Bashkiak vendosi shembjen e Teatrit Kombëtar dhe po natën u lëshuan me dhunë për të bërë një gropë mes Tiranës.

Unë nuk jam politikan karriere, nuk di të bëj saltro dhe spërdredhje për të gjetur rrugën time në politikë. Unë do të shkoj në garë me ekip, sepse besoj se një administrator i mirë punon me ekspertët, jo me shokët. Unë besoj se politikani duhet të mësojë të dëgjojë ekspertët, inxhinierët e mjedisit, urbanistët dhe profesionistët që kanë vite punë mbi supe, dhe jo të delirojë para kamerave si gjitholog, me projekte në duar si arkitekt, me fidan në dorë si agronom apo me garuzhde si kuzhinier mense.

Tirana ka nevojë për një njeri punëtor dhe fjalëpak, jo për një llafazan që rreh gjoksin nga mëngjesi në darkë. Për sa kohë Tirana qelbet dhe kutërbon, për sa kohë problemet janë me qindra, nuk ka vend për të rrahur gjoksin. Alternativa që unë ofroj është të flasë puna, jo kryebashkiaku, të flasin banorët për punën e kryebashkiakut dhe jo ai për veten.

– A ka ndryshuar diçka në raport mes jush dhe kryeqytetit, në përditshmërinë tuaj nga një hapësirë kujtimesh dhe rritjeje, në një kauzë të vërtetë administrimi të saj?

Kjo që po ndodh nuk është zhvillim modern. Kjo është kuturu me pallate që ngrihen çdo ditë vend e pavend. T’i pyesësh njerëzit, thonë këtu është Kandahar. Po ne nuk jemi në luftë. Ne jemi të vjedhur jo nga pushtuesi por nga një i ri që vodhi fondet e një shoqate për të hyrë në politikë. Hyri në politikë si hajdut. Ç’mund t’i ndryshonte politikës një hajdut më shumë?

Faji qëndron në shumë segmente të shoqërisë shqiptare që promovojnë hajdutin në funksione publike. Si mund të administrojë taksat tona një hajdut? Hajduti nuk di të punojë, di vetëm të vjedhë. Unë nuk mund që qëndroj spektator dhe të shoh nga karrigia e deputetit se si qyteti ku linda dhe u burrërova, të shpërfytyrohet në një grumbull getosh, ku banorët kacafyten për një vend parkimi, ku oborrit ku luajnë fëmijët i vendosen kangjellat se do bëhet pallat, ku trotuaret bëhen kafene, a thua se nuk kemi mjaftueshëm kafene! Si mund të zhvillohet një qytet ku këmbësori ecën më shpejt se urbani?!

Si mund të bësh sehir kur Tiranës i shemben edhe ato pak ndërtesa historike, me të cilat krenohemi ne dhe prindërit tanë?! Si mund të rehatohem në një parlament, që vetëm emri i ka mbetur i tillë, kur para ballkonit tim kam nevojtoren e një gjigandi betoni që na është puthitur kundrejt çdo lloj rregulli urbanistik e bashkëjetese qytetare?!
Kjo nuk është Tirana që kemi jetuar dhe as që kemi ëndërruar.

Ky është një shesh i bërë përshesh nga babëzia për ta betonizuar këtë qytet cep më cep. Dhe ne duhet të mbajmë 12 vjet në kurriz një njeri që vizion ka Kandaharin? Tirana e mbajti 11 vjet në kurriz Edi Ramën dhe sot kemi këtë katrahurë urbane. Ne nuk mund të lejojmë që pasuesi i tij të përfundojë kullat që i ngelën pa bërë Edi Ramës. Unë jam kundër këtij modeli. Veliaj pati 8 vjet kohë për të mbajtur premtimet e tij. Bëri krejt të kundërtën e asaj që premtoi. Premtimi i tij rezultoi mashtrim publik.

Alternativa ime është administrim emergjent i kaosit urban ku ndodhet Tirana, ndalimi i menjëhershëm i betonizmit, ndërprerje e menjëhershme e fondit për “inceneratorin”, vendosja e prioriteteve bashkiake me ekspertizën e profesonistëve të fushës, ndalim i menjëhershëm i reprezaljeve të Policisë Bashkiake. Frymëmarrje Tiranës deri në një moment ku të përcaktojmë mençurisht rrugën e zhvillimit urban.

– Nga momenti i verdiktit “të gjuhës së përbashkët” të Primareve, cila ka qenë shtrirja e parë e komunikimit me qytetarët për një kandidat për kryetar bashkie, i cili do tentojë të zbresë nga administrimi i kryeqytetit një figurë që aderon të bëhet kryeministër?

Vjedhja nuk hyn tek aftësitë administruese. Nuk do të zbresë një administrator. Po kandidoj për t’i larguar banorëve të Tiranës një hajdut nga taksat e tyre, dhe madje nuk do të mjaftohem me kaq. Nuk mund t’i heqim pushtetin politik dha ta lëmë të gëzojë bereqetin financiar që ka vënë me paratë e të tjerëve.

Vetëm në Shqipëri hajduti shkon në burg i pasur. Nëse kjo drejtësi që po rinohet, do të bëjë një punë të hajrit, të konfiskojë paratë që kryebashkiaku i ka vjedhur me një të hedhur firme. Dosjen e plotë do ia shpie me dorën time SPAK-ut, sapo të kem akses në të gjithë dokumentacionin e Bashkisë Tiranë.

Pastaj le të vendosë gjykata, do ta shpien te kolegët e tij Koka dhe Tushe apo do na e bëjnë kandidat për kryeministri. E them me bindje, se e di gjithë Tirana, jo vetëm unë, se këta po hanë kokat e njëri-tjetrit nga zullumet me inceneratorë e leje betonizimi.

Një gjë e kam të qartë, se dy kokat e strumbullarit, Rama dhe Veliaj, po rrëzojnë njerëzit e njëri-tjetrit për të goditur njëri-tjetrin. Unë garoj për t’i dhënë Tiranës një alternativë për t’u administruar dhe banorëve të saj optimizmin se problemet mund të zgjidhen dhe jo të shtohen. Ky është fokusi im.

– Motoja juaj e pashpallur e fushatës për fitoren e mundshme të zgjedhjeve të 14 majit do të lidhet me Tiranën që nuk është më dita-ditës (atë nostalgjike) apo për një Tiranë që do të gjejë një pikëprerje të re në historinë e saj moderne?

Keni të drejtë kur e quani “nostalgjike”, pasi raporti i bashkisë me historinë e qytetit është i munguar. Sot “nostalgjike” quhet edhe kompleksi i Teatrit Kombëtar. Godina e Radio Tiranës që sot qëndron në këmbë, në këto 4 muaj të mbetur mund të kthehet shpejt në nostalgji. Kryebashkiaku aktual po mundohet me të gjitha forcat që trashëgimia historike të mbesë një kujtim në zemrat tona.

Ka ardhur koha që dy mandatet e kryebashkiakut në fjalë të arkivohen si një histori 8-vjeçare, për të cilën druaj se nuk do të jemi aq nostalgjikë. Motoja që unë kam përdorur gjatë fushatës së primareve është “Fitojmë Tiranën”.

Kjo zgjedhje për shumë arsye. Banorët përballë problemeve të jetës në Tiranë janë të barabartë. Ndotja që thithim, uji që vjen në shtëpitë tona, gjelbërimi i munguar në lagjet tona, oborret e pushtuara nga betoni, çmimet e papërballueshme të apartamenteve dhe shumë të tjera që nuk numërohen, janë kosto për të gjithë.

Nuk duan t’ia dinë sëmundjet tumorale që po bëjnë kërdinë në këtë mjedis të kontaminuar nga mafiozët e plehrave dhe betonit. Në kryeqytetin e Shqipërisë nuk ka siguri për shëndetin, nuk ka standarde minimale të higjienës publike, nuk ka siguri të bësh një ecje pa u ruajtur nga rënia e lirë e inerteve nga kantieret pa kushte teknike, ku bien dhe humbasin jetën nevojtarët e ardhur nga i gjithë vendi.

Tirana që kemi të shkakton stres të përditshëm pa pyetur a je militant partie, rrogëtar bashkie apo pa punë. Sot në Tiranë nuk ka rëndësi sa e ke rrogën. Një apartament e ke të pamundur ta blesh. Jeta në Tirana nuk i ngjet aspak asaj propagande që na fyen inteligjencën çdo ditë nga ekranet. Ne banorët e saj nuk po humbasim vetëm Tiranën historike, ne po humbasim të ardhmen, po humbasim vite të tëra me njerëz që përcaktojnë fatet tona pa na pyetur, pa na dëgjuar, duke injoruar tërësisht nevojat tona jetike.

Tirana duhet të jetë e të gjithëve dhe administratori i saj duhet të punojë për të gjithë, jo vetëm për firmat e ndërtimit, me të cilat dihet botërisht se ndan fitimet. Unë nuk e zhbëj dot këtë që është keq deri më tani, por zotohem të ndaloj menjëherë bastardimin urban që është planifikuar për 4 vitet e ardhshme.

Kemi një kryeqytet që nuk është ende qytet. Është një vendbanim i madh që rritet pa formë si një metastazë që po prek çfarëdo gjen përpara. Unë jam në këtë betejë për t’i thënë ndal kësaj masakre urbane. Tirana është larg historisë moderne të saj. Me depozitat e ujit mbi tarraca nuk ka histori moderne dhe nuk mund të flasim për zhvillim.

Si fillim, të ndërtojmë një qytet funksional, me infrastrukturë që plotëson nevojat minimale të banorëve, që gjallëron ekonomikisht dhe kulturalisht periferinë dhe rrethinat rurale, që harmonizon ndërtimet e reja me identitetin arkitektonik, dhe jo të fshehim Kullën e Sahatit poshtë kullës së betonit.

“Fitojmë Tiranën” sepse po tentojnë ta marrin përgjithnjë. Fitojmë Tiranën, për të shpëtuar aq sa ka mbetur. Fitojmë Tiranën si banorë të saj, si pasardhës të saj, si rini e saj. Fitojmë Tiranën për t’i dhënë një mesazh shprese të gjithë shqiptarëve që i kanë sytë nga Tirana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore