Lajme

Anthony Fauci planifikon të dorëhiqet në dhjetor


Anthony Fauci planifikon të largohet nga roli i tij si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në dhjetor.

Kjo, pas më shumë se 50 vitesh në qeverinë amerikane.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë perëndimore, duke cituar deklaratën e 81-vjeçarit.

“Do të largohem nga këto pozicione në dhjetor të këtij viti për të ndjekur kapitullin tjetër të karrierës sime”, u shpreh fillimisht Fauci.

Ai gjithashtu njoftoi se do të dorëhiqej nga posti i tij si këshilltar kryesor mjekësor i presidentit amerikan Joe Biden.

Fauci ka shërbyer si drejtor i NIAID-it që nga viti 1984 dhe u ka shërbyer shtatë presidentëve amerikanë, duke filluar me Ronald Reagan.

Ai ishte një nga studiuesit kryesorë që luftoi me epideminë AIDS në vitet ’80 dhe në vitin 2008, ish-presidenti George W. Bush i dha atij Medaljen Presidenciale të Lirisë për punën e tij me programin e ndihmës ndaj AIDS-it “PEPFAR”.

“Nuk mund të qëndroj në këtë punë përgjithmonë. Përveç nëse stafi im do të më gjejë të zhytur mbi tavolinë një ditë. Më mirë të mos e bëj këtë”, shtoi ai.

Ligjvënësit republikanë kontestuan vazhdimisht veprimet e Fauci-t gjatë rolit të tij si këshilltari kryesor mjekësor i Biden-it.

Senatori i Kentucky-t Rand Paul, i bëri thirrje Fauci-t të largohej për shkak të “dështimeve dhe dezinformatave të tij gjatë pandemisë COVID-19”.

Paul akuzoi Fauci-n se gënjeu Kongresin dhe ishte i vetëdijshëm se NIH-ja po financonte kërkime të përfitimit të funksionit në Wuhan, Kinë, ku mund të ketë origjinën COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore