Sport

Ankand për De Ligt-in, pas Barcelona-s dhe Chelsea-t, në garë edhe Tottenham-i


Fjalët e Mino Raiola-s, agjentit të mbrojtësit të Juventus-it, Matthijs de Ligt-it, se ky i fundit është gati për të bërë një tjetër hap në karrierë, kanë trazuar shumë ujërat në futbollin evropian.

Sigurisht që një deklaratë e tillë nuk u prit mirë në kampin bardhezi. Maurizio Arrivabene, drejtori ekzekutiv i Juventus-it, tha pas deklaratës së Raiola-s, se një futbollist i “Zonjës së Vjetër”, duhet të ndjejë më shumë fanellën se fjalët e agjentit të tij.

Kaq ka mjaftuar që klubet e mëdha evropiane të fillojnë garën me njëra-tjetrën për shërbimet e holandezit 22-vjeçar. Barcelona, Chelsea dhe tashmë edhe Tottenham-i janë futur në garë për të  “rrëmbyer” De Ligt-in.

Juventus-i pagoi 85 milionë euro në verën e 2019 për ta transferuar nga Ajax-it shtatlartin. Ndërsa, klauzola e vendosur në kontratën me bardhezinjtë, që i përfundon në verën e 2024, kap shifrën e 150 milionë eurove.

Në ndryshim nga dy klubet angleze, që janë të gatshme të ofrojnë një shifër të përafërt me klauzolën, për të bindur Juventus-in, krejtësisht ndryshe është situata e Barçës.

Klubi blaugrana ka vështirësi të mëdha me financat. Për ta De Ligt-i vlen 50 milionë euro. Por, kjo shifër sigurisht që është shumë e pakët për italianët.

Ndaj dhe Barcelona ka vendosur të ofrojë në shkëmbim te “Zonja e Vjetër” kartonin e mbrojtësit Clement Lenglet-it dhe të sulmuesit, Memphis Depay-t.

De Ligt këtë sezon është paraqitur 15 ndeshje në Serie A, ku ka shënuar dhe një gol. Ndërsa në Champions League numëron pesë paraqitje.

Numri i paraqitjeve të holandezit është ndikuar edhe nga dëmitimi i Giorgio Chiellini-t. Nëse kapiteni juventin do të ishtë në formë të mirë fizike, nën drejtimin e Massimiliano Allegri-t, De Ligt-i do e kishte të vështirë të kishte një fanellë titullari përballë dyshes Chiellini – Leonardo Bonucci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore