Kosova

“Anëtarësimi në Interpool, i pamundur pa ndihmën e ndërkombëtarëve”


Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL.

Kosova, ende nuk është e anëtarësuar në një numër të madh të Organizatave Ndërkombëtare, njëra prej tyre është ajo e sigurisë, Interpoli.

Kjo po thuhet të jetë rezultat i moskoordinimit me faktorin ndërkombëtar dhe mos shfrytëzimi i Shqipërisë si shtet për të lobuar në arenën ndërkombëtare, kështu ka bërë të ditur njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

“Ne kemi dështuar në shumë raste faji jonë për mos anëtarësim të deritashëm në organizata ndërkombëtare të sigurisë në Interpol dhe organizatat rajonale. Mendoj që ne me kapacitetet tona nuk mund t’ia dalim nëse nuk mbështetemi në partnerë tanë strategjik në rend të parë ShBA që janë përkrahëse në projektet tona dhe vendet e BE”.

“Fatkeqësisht këta liderët tanë të kaluar dhe të tashmit çdo herë e mendojnë mbështetjen në forcat vetanake që janë të pamjaftueshme dhe nganjëherë nuk e kemi shfrytëzuar edhe Shqipërinë si shtet amë apo shtet përkrahës për lobim për arritjen e synimit për anëtarësim”, deklaroi Ibishi për EO.

Interpol.

Sipas tij, AKI-ja duhet të ketë përqendrim në bashkëpunim ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse është domethënës për sigurinë nacionale.

“Sido që të jetë AKI duhet të përqendrohet të bashkëpunimi ndërkombëtar për këmbimin e informacionit të klasifikuar që është jashtëzakonisht i rëndësishëm me partner tanë ShBA që është shumë domethënëse për sigurinë nacionale të shtetit tonë”.

Sipas tij, ka mungesë në mbështetje të AKI-së nga institucionet për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv.

“Kjo nuk duhet të ndodh për një institucion siç është AKI por kjo është dështim i lidershipit tonë. Mendoj që ka pasur çdo herë ndërhyrje politike dhe vazhdon të ketë. Realisht kryeshefi ekzekutiv zgjidhen nga niveli politik. Por duhet të shpallet konkursi dhe secili prej tyre ti përmbushë kriteret çfarë kërkohen jo të jetë përcaktim politik. Çdo përzgjedhje ka ardhur zgjedhje politike që ka pasur pasoja për sigurinë nacionale”.

Më 17 nëntor, policia e Kosovës edhe një herë ka shprehur gatishmëri të jetë anëtare e INTERPOL-it sepse ka konsideruar se i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme, por kërkesa për aplikim në INTERPOL është e varur nga Qeveria e Kosovës.

Kosova nga viti 2001, e më tutje është pjesë e INTERPOLIT përmes Zyrës Ndërlidhëse të UNMIK-ut.

Në vitet e fundit Kosova ka aplikuar dhe synon të bëhet anëtare e UNESCO-s, INTERPOL-it, Këshillit e Evropës e organizata të tjera.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë janë 117 vende që e njohin shtetin e Kosovës.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore