Lajme

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, në agjendë të ministrave


Këshilli i Evropës

Aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës pritet të shqyrtohet këtë të hënë nga Komiteti i Ministrave të Këshillit.

Këtë njoftim, për medie e ka dhënë Rejhan Vuniqi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mbahet të hënën. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniqi.

Ndërkaq, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KiE më 12 maj të vitit 2022.

Aplikacionin fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pastaj, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Kanë kaluar pothuajse një vit, që kur Kosova është në pritje të trajtimit të aplikimit të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kështu, Komiteti i Ministrave të këtij këshilli pritet të mblidhet sot, më 24 prilli, derisa në agjendën e publikuar, në njërën nga pikat parashihet shqyrtimi i një aplikimi për anëtarësim.

“Votat janë siguruar”, kështu pati deklaruar ditë më parë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, kur raportoi para Komisionit për Punë të Jashtme, kur foli për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Votat janë siguruar, unë mendoj që nuk duhet kalojë me shumë kohë, sepse janë shterë të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga ambasadorët tek asambleja parlamentare”, kishte deklaruar Donika Gërvalla, ministrie e Punëve të Jashtme.

Në anën tjetër, ishte ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili një javë më parë shprehu nervozë në një konferencë shtypi, kur u pyet nëse do të shkojë në Strasburg me rastin e 20 vjetorit të pranimit të Serbisë në këtë organizatë. Ai deklaroi se është bërë e ditur që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i nisë procedurat për pranimin e Kosovës në këtë institucion.

Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar derisa pranimi në këtë organizatë vlerësohet i një rëndësie të veçantë për vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore