Lajme

Andrew Tate akuzohet për përdhunim dhe trafikim njerëzor


Andrew Tate është akuzuar në Rumani për përdhunim, trafikim njerëzor dhe formim të një grupi të organizuar kriminal për të shfrytëzuar seksualisht gratë.

Vëllai i influencuesit, Tristan dhe dy bashkëpunëtorët e tij gjithashtu përballen me akuza.

Sakaq, të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Në dhjetor, vëllezërit Tate u arrestuan për herë të parë në shtëpinë e tyre në Bukuresht.

Në mars, ata u zhvendosën nga paraburgimi në arrest shtëpiak pas një vendimi nga një gjykatës rumun.

Sipas aktakuzës së depozituar në gjykatën e Bukureshtit, katër të pandehurit formuan një grup të organizuar kriminal në vitin 2021 për të kryer trafikim njerëzor në Rumani.

Por edhe në vende të tjera, përfshirë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.

Aktakuza përmend shtatë viktima të supozuara për të cilat thotë se ishin rekrutuar nga vëllezërit Tate përmes premtimeve të rreme për dashuri dhe martesë.

Më vonë, viktimat e supozuara u dërguan në ndërtesat në qarkun Ilfov në Rumani, ku u frikësuan, u vunë nën mbikëqyrje dhe kontroll të vazhdueshëm dhe u detyruan të hynin në borxhe.

Të paktën kështu rezulton sipas një deklarate nga prokurorët rumunë.

Të pandehurit dyshohet se më pas i detyruan gratë të merrnin pjesë në pornografi që më vonë u shpërnda në mediat sociale.

Referuar deklaratës, një i pandehur akuzohet për përdhunimin e një gruaje dy herë në mars 2022.

Ndërkaq, gjyqi nuk do të nisë menjëherë dhe pritet të zgjasë disa vite.

Një gjykatës rumun ka tani 60 ditë për të inspektuar dosjet e çështjes përpara se të dërgohet në gjyq.

Ekipi i medias për vëllezërit Tate ka njoftuar se “teksa ky lajm është padyshim i parashikueshëm, ne përqafojmë mundësinë që ofron për të demonstruar pafajësinë e tyre dhe për të përligjur reputacionin”.

Dhe se aktakuza “na lejon të paraqesim një grup gjithëpërfshirës provash, të mbledhura dhe të përgatitura me zell me kalimin e kohës, të cilat padyshim do të vërtetojnë pretendimet e vëllezërve për pafajësinë”.

Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe akuza të veçanta nën hetim, të cilat mund të çojnë në një aktakuzë të veçantë, duke përfshirë pastrimin e parave dhe trafikimin e të miturve.

Në vitin 2016, influencuesi Andrew Tate  u hoq nga emisioni televiziv britanik Big Brother për një video që dukej se e tregonte atë duke abuzuar me një grua.

Por ai vazhdoi të fitonte famë në internet, me Twitter-in që e ndaloi atë për të thënë se gratë duhet të “mbajnë njëfarë përgjegjësie” për sulmet seksuale.

Paçka ndalimeve të mediave sociale, ai fitoi popullaritet, veçanërisht mes të rinjve, duke promovuar atë që e prezantoi si një mënyrë jetese hiper-mashkullore, ultra-luksoze.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore