Lajme

Analizë: Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme është e mjaftueshme që Greqia, Rumania dhe Sllovakia ta njohin Kosovën


Ilustrim

Grupi i Kërkimit të Politikave në Ballkan, përmes një hulumtimi, të titulluar “Kosova: Zhbllokimi i perspektivës Euro-Atlantike”, ka argumentuar se pesë nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat refuzojnë ta njohin shtetësinë e Kosovës, paraqesin një pengesë të madhe në aspiratat euro-atlantike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

Për të zhbllokuar perspektivën e vet euro-atlantike, sipas Grupit për Ballkan, Kosovës i duhet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

“Një gjë e tillë kërkon vullnet politik dhe përpjekje diplomatike, sidomos nga ana e Kosovës dhe BE-së. Po ashtu, kërkohet edhe pranimi i plotë i planit ‘Rruga për Normalizim të Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë’ nga ana e Serbisë”, thuhet në raport.

Një marrëveshje e tillë, sipas Grupit për Ballkan, do të ishte e mjaftueshme për Greqinë, Rumaninë dhe Sllovakinë për të njohur Kosovën, por mbetet e paqartë nëse Qipro, e deri diku edhe Spanja do të mjaftoheshin me kaq.

“Ky ‘prag i lartë’ që mosnjohësit kanë vendosur shfaq implikime që mund të ndikojnë direkt në ritmin e dialogut. Përderisa këto kushte mund të nxisin zhbllokimin e situatës ekzistuese, ato rrezikojnë të gjenerojnë pengesa të tjera që do të vështirësonin arritjen e marrëveshjes dhe përfundimin e procesit”.

Duke e theksuar elementin “ligjërisht të obligueshme”, sipas analizës Grupi për Ballkan, këto shtete i japin siguri Qeverisë së Kosovës që të përkushtohet për normalizim [që sillet] rreth njohjes së ndërsjellë.

“Mirëpo, meqë këto shtete e kanë lënë në dorë të Serbisë çelësin për hapjen e perspektives së Kosovës për njohje dhe anëtarësim në BE dhe NATO, Kosova rrezikon të vendoset në pozitë të pafavorshme ku i duhet të zgjedh që të bëjë kompromise të tjera ose të vazhdoj status-quo-në”.

Dokumenti i paraqitur si “Rruga për Normalizim të Marrëdhënieve”, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar publikisht, thuhet se mund të shndërrohet në marrëveshje ligjërisht të obligueshme me ratifikim në Parlamentet e Kosovës dhe Serbisë, gjë që është shumë e rëndësishme për të bindur mosnjohësit.

“Derisa BE-ja do të vazhdojë të udhëheq bisedimet në mes të palëve, të kryesoj Këshillin e monitorimit dhe të ketë fjalën e fundit në vlerësimin e nivelit të implementimit, ajo duhet gjithashtu të shpall këtë marrëveshje si ligjërisht të obligueshme përmes konkluzioneve dhe deklaratave të lëshuara”.

“Miratimi i marrëveshjes si ligjërisht e obligueshme [në mes të Kosovës dhe Serbisë] me konkluzione të Këshillit të BE-së është i rëndësishëm për Kosovën e Serbinë për të ecur përtej dialogut dhe drejt BE-së. Është po ashtu i nevojshëm për mosnjohësit që të rishikojnë qëndrimin e tyre për pavarësinë e Kosovës. Konkluzionet e reja te Këshillit do të mundësonin zëvendësimin e Konkluzioneve [për Kosovën] të shkurtit të vitit 2008”, përfundon raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore