Lajme

Analisti serb: Nëse Marrëveshja Ohrit bëhet pjesë e Kapitullit 35, vështirësohet rruga e Serbisë drejt BE-së


Zharko Rakiç

Komentatori serb i politikës së jashtme, Zharko Rakiç, ka thënë këtë të premte se Bashkimi Evropian, pa Serbinë, mund të marrë një vendim që Marrëveshja e Ohrit (18 mars), të jetë pjesë e negociatave të kapitullit 35-të me BE-në.

Rakiç vlerësoi se pret që kjo të bëhet me qëllim të zvogëlimit të hapësirës së Beogradit për manovrim në disa negociata të reja në kuadër të dialogut me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE.

Në kapitullin e 35-të, të cilit i referohet Rakiç, për pranimin e Serbisë në BE, ndër të tjera përfshihet edhe marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën.

Lexo edhe këtë: Vuçiç: Marrëveshja e Ohrit mund të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE – dy vende po bëjnë presion

“Problemi nuk është se çfarë po negociohet dhe çfarë do të nënshkruhet, por cilat janë garancitë se ajo që është nënshkruar do të zbatohet realisht, d.m.th se ne nuk kemi një situatë që të nënshkruhen disa marrëveshje dhe ato të mos zbatohen”, ka deklaruar ai për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt, ku përmes 11 neneve BE e Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, sipas komentatorit të politikës së jashtme, nëse Marrëveshja e Ohrit inkorporohet në kapitullin e 35-të, atëherë ai vlerëson se rruga e negociatave drejt anëtarësimit në BE “do të ishte më e vështirë” për Serbinë.

Megjithatë, Rakiç thekson se Serbia “është mësuar të mos marrë shumë optimizëm dhe mbështetje nga Brukseli” dhe se “nuk duhet t’u kushtojë vëmendje pengesave të reja në rrugë drejt BE-së”.

Ndryshe, ditë më parë “Radio Evropa e Lirë” raportoi se shtetet anëtare të BE-së do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura nga marrëveshjet në kuadër të dialogut.

Sipas REL-it, ky propozim pritet që të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, i cili pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Union.

REL thotë se ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitur për këtë takim, ku thekson se nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dakorduara me Kosovën.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore