Lajme

BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën


Flamuj të Bashkimit Evropian

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura nga marrëveshjet në kuadër të dialogut, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Sipas REL-it, ky propozim pritet që të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, i cili pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Union.

REL thotë se ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitur për këtë takim, ku thekson se nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dakorduara me Kosovën.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

Në draftin e konkluzave për Serbinë, do t’i bëhet thirrje edhe një herë asaj që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj civilëve, ushtarëve të KFOR-it, në protestën e dhunshme të 29 majit në Zveçan.

Përveç këtyre, Serbisë do t’i kërkohet edhe që të sjellë para drejtësisë edhe terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shator në Banjë të Zveçanit.

“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

Në pjesën ku flitet për obligimet e Serbisë për të ndërmarrë masa për të sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve, thuhet se Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.

Sipas draft-konkluzave, Këshilli kërkon nga Serbia që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa të tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”.

Po ashtu, në konkluza pritet që blloku të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore