Lajme

Amerika nuk ka strategji të rrëzojë Putinin, e thotë edhe Blinken


Shtetet e Bashkuara të Amerikën nuk kanë asnjë strategji për të ndërruar regjimin në Rusi dhe këtë gjë, e ka konfirmuar tashmë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Izrael.

Gjatë një fjalimi në Varshavë, në mbyllje të vizitës së tij ditën e shtunë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Perëndimi “nuk mund ta lejojë Vladimir Putinin të mbajë pushtetin”.

Reagimi qe i menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë, ku u bë e qartë se mesazhi i Biden, nuk kishte të bënte me ndërrimin e regjimit të Putinit. Por, kishte të bënte me faktin se ai nuk mund të lejohet të veprojë sipas dëshirës në çdo rrethanë dhe të cenojë integritetin e vendeve të tjera.

Të njëjtën gjë, e ka ravijëzuar edhe Blinken.

“Siç e dini dhe siç na keni dëgjuar vazhdimisht, ne nuk kemi në plan të rrëzojmë regjimin në Rusi”, tha Blinken. “Në këtë rast, si edhe në çdo rast tjetër në çdo vend të botës, kjo është një çështje e qytetarëve. Ndaj, këtë herë, është çështje e qytetarëve rusë të vendosin”, përmbylli kryediplomati amerikan.

Shqetësimi më i madh lidhet me faktin se Putinit, kjo retorikë mund t’i duket si kërcënuese dhe ai mund të shtojë agresionin rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore