Shqipëria

Amendament dypalësh për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit


Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë dakordësuar në një amendament për hapjen e dosjeve gjatë seancës plenare të 20 tetorit.

“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre”, vëren fillimisht amendamenti.

Kjo, në përputhje me ligjin  për të drejtën e informimit.

Kushti është që kërkuesi duhet të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.

Informacioni, sipas dokumentit të dakordësuar, jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni.

“Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, ravijëzon amendamenti.

Informacionet kanë të bëjnë pikërisht me hapjen e dosjeve për periudhën 1944 – 1991.

Ndonëse, kjo është premtuar që në qershor të vitit 1992, ende nuk është realizuar plotësisht.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dërguan më herët nismat e tyre për ndryshime ligjore lidhur me transparencën e dosjeve të ish-Sigurimit.

Miratimi i fundit

Diskutimi dhe miratimi i fundit ishte në vitin 2008 nën Qeverisjen e Sali Berishës.

Asokohe, Parlamenti votoi për hapjen e dosjeve sekrete të epokës komuniste për të kontrolluar kandidatët për poste.

Por opozita dhe gjyqtarët e panë atë si një manovër për të mënjanuar rivalët dhe jo për të pastruar shoqërinë nga faji.

Ligji u miratua vetëm me votat e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.

Ata shpërfillën edhe apelin e Shteteve të Bashkuara për shtyrjen e votimit për të lënë kohë për konsultime të gjera.

Partia Socialiste – atë vit në opozitë –  e pa ligjin, si një përpjekje e Berishës për të shkarkuar prokurorët që hetonin korrupsionin.

Kjo pasi në ligj u shtua një klauzolë, e cila shpjegonte se politikanët dhe figurat publike të certifikuara si të pastra nga disa komisione të mëparshme nuk do të hetohen më.

Nën sundimin 40-vjeçar të diktatorit  stalinist Enver Hoxha, 5 mijë e 37 burra dhe 450 gra u ekzekutuan dhe deri në 34 mijë e 135 njerëz u burgosën, duke përfshirë 1 mijë që vdiqën dhe 308 që u çmendën.

Gjatë këtij regjimi, Sigurimi i Shtetit torturoi mijëra persona për motive politike.

Veprimtaria e tij nuk është ndriçuar asnjëherë.

Përveç zyrtarëve drejtues të Sigurimit dhe krimeve të tyre, në hije kanë mbetur edhe mijëra bashkëpunëtorë të këtij shërbimi dhune e terrori, dhe gjatë 3 dekadave në demokraci.

Rikthehen dosjet e sigurimit, çfarë kërkojnë palët?

“Kush ishte komunist”, hapja e dosjeve rikthen akuzat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore