Lajme

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: S’po luftojmë kundër popullit palestinez – por kundër terroristëve të Hamasit


Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka thënë se shteti i saj nuk po lufton ndaj popullit palestinez, por kundër terroristëve të Hamasit.

“Izraeli nuk po lufton popullin palestinez. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjet barbare të paimagjinueshme të fëmijëve, grave dhe të moshuarve të pafajshëm”, shkroi ajo në platformën X.

Ajo tutje ka theksuar se “asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e palestinezëve në Gaza si mburoja njerëzore”.

“Pothuajse 600 raketa të Hamasit të lëshuara në Izrael ranë në Gaza, duke përfshirë spitalin Al-Ahli, duke vrarë palestinezë të pafajshëm”.

Ziv ka theksuar se e gjithë bota duhet të ngrihet për të dënuar terroristët e Hamasit.

Ajo është ambasadorja e fundit e akredituar në Kosovë, meqë Izraeli është shteti i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës.

Institucionet e Kosovës janë rreshtuar me Izraelin dhe i kanë dhënë përkrahje shtetit partner.

Të paktën 5 mijë e 87 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve izraelite në Gaza në dy muajt e fundit, që prej sulmit makabër të Hamasit në territorin izraelit, më 7 tetor, i cili la të vrarë 1 mijë e 400 persona.

Intervistë me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv: Ka dallim mes terroristëve të Hamasit dhe popullit palestinez, sulmi u financua edhe nga Irani – me palestinezët duam paqe, Hamasi duhet të zhduket

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore