Lajme

Ambasadori i Qipros në Serbi: “Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent”


Ambasadori i Republikës së Qipros në Serbi, Dimitrios Teofilaktu

Ambasadori i Republikës së Qipros në Serbi, Dimitrios Teofilaktu, konfirmoi se qëndrimi i vendit të tij për mosnjohjen e Kosovës është konsistent.

“Qiproja respekton integritetin territorial të Serbisë, ashtu siç respekton integritetin territorial të të gjitha vendeve të tjera. Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent. Për të qenë të besueshëm, duhet të udhëhiqemi nga qëndrime konsekuente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Teofilaktu në një intervistë për gazetën serbe politika.rs.

Sipas tij, marrëdhëniet mes Qipros dhe Serbisë janë tradicionalisht të forta.

“Në dritën e ngjarjeve aktuale në lidhje me Qipron dhe Kosovën, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe e mbështesim me gjithë zemër njëri-tjetrin, duke hapur hapësira të reja për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka kërkuar që Kosova ta themelojë Asocicionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Edhe Rumania ende mban qëndrim të njëjtë për Kosovën.

Kështu patën njoftuar nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë në një përgjigje për Albanian Post më 7 mars.

“Rumania nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimi ynë mbetet i njëjtë”.

MPJ-ja rumune, megjithatë, ka shtuar se Bukureshti zyrtar, ka pasur një qasje konstruktive për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, përfshirë mbështetjen me votën pro për çështjen e liberalizimit të vizave.

Ndërsa presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, kishte deklaruar se qëndrimi i vendit të saj – si njëra nga pesë shtetet brenda Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën – mbetet i njëjtë.

“Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit si dhe një lëvizje të përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit”, thekosi Sakellaropoulou.

Ndryshe, nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore