Lajme

Ambasadori amerikan i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i zhgënjyer që Qeveria e Kosovës nuk po e vazhdon praktikën e kahershme të lejimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që t’i mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë.

Megjithatë diplomati amerikan ka theksuar se Kosova ka të drejtë vetë t’i përcaktojë kushtet për zgjedhjet e shteteve të tjera që mbahen në territorin e saj, kur është pyetur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të Serbisë të mbahen edhe në Kosovë.

Ai ka konfirmuar gjithashtu, se SHBA-të nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, meqë zgjedhjet serbe Qeveria e Kosovës nuk i kishte lejuar të mbahen edhe në gjatë vitit 2022.

“SHBA-ja beson fuqishëm se votuesit me të drejtë vote në të gjitha vendet duhet të jenë plotësisht në gjendje të marrin pjesë në proceset demokratike. Pra, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”, ka thënë ai në një prononcim të shkurtër për Klan Kosova.

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbia është e interesuar, duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale të Serbisë.

E kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore