Lajme

Ambasada Ruse në Washington, kundër donacionit Amerikan për FSK-në


Ilustrim, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, gjatë inspektimit të doncaionit nga SHBA

Ambasada Ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka reaguar, kundër donacionit që ka bërë Amerika, për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ambasada e Rusisë përmes një postimi në Twitter ka bërë thirrje që SHBA-t të heqin dorë nga politika e armatimit të Kosovës.

Sipas tyre furnizimi i Kosovës me pajisje ushtarake ka tendenca provokuese dhe dëmton përpjekjet për të arritur një zgjidhje për Kosovën.

Ambasada ruse gjithashtu ka bërë thirrje që të respektohet Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuar, e cila e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë.

Kjo rezolutë parashikonte ndërhyrjen e autorizuar ndërkombëtare civile dhe ushtarake, për të themeluar në territorin e Kosovës Misionin e Kombeve të Bashkuara për Administrim të Përkohshëm (UNMIK).

Në rast të cenimit të kësaj rezolute, ndërkombëtarët patën të drejtën e ndërhyrjeve ushtarake për të çliruar territorin e Kosovës.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i përmbahen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Të heqin dora nga politika e  furnizimit të Prishtinës me pajisje ushtarake dhe armë. Hapa të tillë provokues dëmtojnë përpjekjet për të arritur një zgjidhje për Kosovën dhe rrisin tensionet ndëretnike dhe ndërfetare”, thuhet në postimin e Ambasadës ruse në Twitter.

FSK, ditë më parë ishte pajisur me automjetet e blinduara të tipit ASV që ishin donacioni më i ri SHBA-s për Kosovën. Automjetet në fjalë ishin vetëm kontigjenti i parë i donacionit, donacionet e tjera pritet të pranohen në vazdhimë. 

Ndryshe këto automjete njihen edhe me emrin “Guardian”, të cilët janë autoblindat e para ushtarake amerikane që u ndërtuan për rezistencë ndaj minave.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) u miratua më 10 qershor të vitit 1999, pas marrëveshjes së Kumanovës që u nënshkrua me 9 qershor të vitit 1999 i cili parashihte tërheqjen e trupave serbe nga Kosova.

Kjo rezolutë e përcakton statusin politik të Kosovë si protektorat të OKB-së, dhe jep administrimin e Kosovës po kësaj organizate ndërkombëtare. Sipas kësaj rezolute OKB ka përgjegjësin për administratën civile kurse NATO për sigurinë në Kosovë.

Edhe pse rezoluta e bën Kosovën protektorat të OKB-së, në këtë rezolutë disa herë përmendet se Kosova është pjesë e Jugosllavisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore