Lajme

Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Vaksinat COVID-19 s’kanë mikroçipa


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka reaguar për konspiracionet se vaksina anti-COVID, mund të përmbajë elemente sikurse mirkoçipi.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada amerikane ka shkruar se vaksinat kundër COVID-19 nuk përmbajnë mikroçipa dhe se ato janë zhvilluar për të luftuar sëmundjet.

“A përmbajnë vaksinat COVID-19 mikroçipa? Jo. Vaksinat COVID-19 nuk përmbajnë mikroçipa. Vaksinat janë zhvilluar për të luftuar sëmundjet dhe nuk administrohen për të ndjekur lëvizjen tuaj“, ka shkruar Ambasada amerikane.

Ide të ndryshme si vendosja e një çipi në trupin e njeriut me rastin e marrjes së vaksinës, janë hedhur poshtë.

Për këtë nga Ambasada e SHBA-së kanë publikuar edhe një raport ku paraqiten informacione për vaksinat.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të martën (24 gusht) janë regjistruar edhe 13 të vdekur nga Coronavirusi.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 848 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 433 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 21 mijë e 922.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëm brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar kundër COVID-19, 21 mijë e 719 persona.

Numri i të vaksinuarve me dozën e parë është gjithsejtë 485 mijë e 319 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 244 mijë e 235.

Ndërsa, një ditë më parë në Kosovë 17 persona kanë humbur jetën nga Coronavirusi.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Deri më 24 gusht, Kosova ka administruar mbi 720 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë 244 mijë e 235 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore