Aplikacione

Amazon-i dhe Google-i, nën hetim për vlerësimet false të produkteve


Në Mbretërinë e Bashkuar, rregullatorët po hetojnë nëse kompanitë teknologjike, Amazon dhe Google, kanë thyer ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, duke mos bërë sa duhet për të mbrojtur blerësit nga rishikimet e rreme të produkteve.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se ky hetim rezulton të jetë i fundit në një varg hetimesh që janë grumbulluar kundër gjigandëve të teknologjisë në të gjithë botën, teksa zyrtarët dhe politikëbërësit shqyrtojnë me hollësi pretendimet e sjelljes antikonkurruese.

Hetimet mund të përfundojnë me gjoba të majme dhe të rrisin presionin ndaj kompanive, duke përfshirë Facebook-un dhe Apple-in për të ndryshuar mënyrën e të bërit biznes.

Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar (CMA) ka deklaruar se hetimi i tij zyrtar, i cili bazohet në një hetim paraprak të nisur majin e kaluar, mund të detyrojë Amazon-in dhe Google-in të ndryshojnë mënyrën e trajtimit të tyre ose do të përballen me veprimin e gjykatës.

“Shqetësimi ynë është që miliona blerës në internet mund të mashtrohen duke lexuar komente të rreme dhe më pas duke shpenzuar paratë e tyre bazuar në ato rekomandime”, është shprehur shefi ekzekutiv i CMA-së  në një deklaratë, Andrea Coscelli.

Ai ka shtuar se “po kështu, thjesht nuk është e drejtë nëse disa biznese mund të bëjnë rishikime të rreme me pesë yje për t’u dhënë produkteve ose shërbimeve të tyre më të mirën, ndërsa bizneset që i binden ligjit humbasin”.

Një hetim i kryer këtë vit nga “Which?”, grupi në mbrojtje të konsumatorëve në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi një industri të lulëzuar të bizneseve që bëjnë para duke manipuluar vlerësimet në tregun e Amazon-it.

Sipas konkluzioneve të hetimit, një kompani kishte 62 mijë vlerësues globalisht, ku 20 mijë prej tyre ishin të vendosur në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo shiste komente individuale për 13 paund ose në paketa me shumicë duke filluar nga 620 paund për 50 komente.

Ndërkohë, dy kompanitë amerikane, Amazon-i dhe Google-i, njoftuan se do të bashkëpunonin me hetimin e CMA-së.

Një zëdhënës i Amazon-it është shprehur se kompania vë në dispozicion “burime të konsiderueshme për të parandaluar shfaqjen e rishikimeve të rreme ose stimuluese në dyqanin tonë”.

Gjithashtu ka bërë me dije se vitin e kaluar ka parandaluar 200 milionë rishikime të dyshuara si të rreme, të cilat shiheshin nga klientët në të gjithë botën dhe se në fillim të këtij muaji ka ngritur një proces gjyqësor kundër pronarëve të dy faqeve të internetit të përmendura te hetimi i kryer nga “Which?”.

“Politikat tona janë qartësisht strikte se rishikimet duhet të bazohen në përvoja të vërteta dhe kur gjejmë shkelje të politikave, ne marrim masa, nga heqja e përmbajtjes abuzive deri te çaktivizimi i llogarive të përdoruesve”, ka theksuar një zëdhënës i Google-it.

CNN tregon se rregullatorët evropianë po shtrëngojnë presionin mbi titanët e Silicon Valley, duke njoftuar disa hetime të ndryshme në praktikat e tyre të biznesit gjatë këtij muaji.

Bashkimi Evropian nga ana tjetër, ka nisur një hetim antitrust në biznesin e madh të reklamave të Google-it vetëm disa javë pasi zbuloi një hetim të ngjashëm. Ky nëse përdorimi i të dhënave nga Facebook-u i jep asaj një avantazh të padrejtë në reklamat në internet.

Kurse CMA-ja ka nisur një hetim të veçantë ndaj Facebook-ut për të njëjtën çështje dhe javën e kaluar ka njoftuar se po heton dominimin e Apple-it dhe Google-it në sistemet operative celulare, dyqanet e aplikacioneve dhe shfletuesit e internetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore