Sport

Alpine po e mendon rinovimin me Fernando Alonso-n


Shefi ekzekutiv i Alpine F1 team, Laurent Rossi, thotë që Alonso po bën gjithçka si duhet për të siguruar ulësen tek Alpine edhe për një sezon.

Pas dy viteve larg F1, Alonso u rikthye këtë vit me skuadrën Alpine, duke nënshkruar një kontratë njëvjeçare me mundësi për ta zgjatur edhe për një vit.

Edhe pse sezonin e filloi jo shumë mirë, Alonso ka treguar formë të qëndrueshme në garat e fundit.

Fernando ka përfunduar në zonën e pikëve në pesë garat e fundit.

Ai është ngjitur në vendin e 11-të në radhitjen e pilotëve, duke e lënë shokun e skuadrës, Esteban Ocon, 12 pikë prapa.

Starti i tij shumë i bukur në garën e sprint-formatit në Silverstone, ku u ngjit nga vendi i 11-të në të pestin brenda xhiros së parë, ra pothuajse në syrin e të gjithëve.

Daniel Ricciardo, i cili është përballur shpesh herë me Alonso-n këtë vit, thotë që talenti i tij në garë, është ndër më të mirët në histori të Formula 1.

Prandaj, rinovimi tanimë nuk duket si një vendim i çuditshëm.

“Ai po bën shumë mirë”, Rossi tha në një intervistë për BBC Sport.

“Është i shpejtë si në ditët e tij të arta. Ai ende po nxjerrë më të mirën nga makina e tij”.

“Makina nuk është jashtëzakonisht e shpejt, por Alonso ende arrin xhiro shumë të shpejta duke e kualifikuar makinën shumë mirë”.

“Deri tani, jemi shumë mirë”, u shpreh shefi ekzekutiv i F1.

I pyetur nëse Alonso do të qëndrojë përtej këtij sezoni, Rossi u shpreh: “Ajo po bën gjithçka si duhet që unë të konsideroj rinovimin me të”.

Përkundër komenteve që janë bërë për sjelljen e tij, Rossi thotë që Alonso është një ndër pilotët më të sjellshëm me të cilin ai ka punuar.

“Janë bërë gjashtë muaj, dhe ende nuk e shoh atë Fernando-n i cili paraqitet nga të tjerët”.

“Të dy presim gjëra të mëdha nga skuadra”.

Rossi për fund thotë që skuadra e tij po synon majën, dhe do të tentojë të arrijë këtë me rregullat e vitit tjetër.

“Një pikë nuk është mirë, dy pikë nuk janë mirë, edhe kur të përfundojmë të dytët nuk do të jetë mirë”, tha ai, “mirë do të jetë kur të fitojmë”.

Nëse Alonso nuk vazhdon sezonin e ardhshëm, Oscar Piastri dhe Guanyu Zhou janë kandidatë për ulësen e Alpine.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore