Shqipëria

Akuzat e Bashës për plehrat në Fier, reagon Subashi


“Ku e gjen të drejtën morale Lulzim Basha për të reaguar për plehrat në Fier?”.

Kjo është përgjigjja e kreut të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit, nëpërmjet një statusi në Twitter, pretendon se Fieri ndodhet në një “katastrofë mjedisore”.

“Lulzimi dhe të ‘tijët’ në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70-vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri”, shkruan Subashi.

Ndër të tjera, Subashi akuzon Bashën se, nëpërmjet disa protestave, kanë penguar investimet për ndërtimin e një impianti të ri. Vonesa e pretenduar nga Subashi, për shkak të këtyre protestave, është prej dy vjetësh.

“Vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin”.

Ndërkohë mbi situatën aktuale, Subashi theksoi se, në pak ditë, ajo do të marrë fund.

“Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në radhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë. Fund plehrave në qytet!”, përmbyll ai.

Akuza e Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një statusi në median sociale Twitter, ka denoncuar atë që ai pretendon se është një “katastrofë mjedisore” në Fier.

Sipas Bashës, në Fier po ndodh prej ditësh “diçka e ngjashme me atë çfarë ndodhi në Kavajë dhe Durrës”, me situatën e mbetjeve.

Në dy foto që ai ka publikuar, duken disa re të dendura tymi.

Më tej, ai vijon duke shtuar se viktimat janë njerëzit. Ndërkaq ai përmend edhe një padi që Partia Demokratike ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, disa fakte mbi tenderime qeveritare për plehrat.

“Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median”.

Një apel i Bashës shkon edhe për qytetarët, duke theksuar se është “koha për të ngritur zërin”.

“Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!”, përmbyll ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore