Shqipëria

Akuza ‘të vjetra’, gjykim ‘i ri’ për Mediun – Gërdeci, kjo sagë që ndjek drejtësinë


Prokuroria e Posaçme SPAK, ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sa i përket ngjarjes së Gërdecit me një kalvar prej një dekade e gjysmë, në dyert e Drejtësisë, jashtë saj, në politikë, opinion publik e kudo.

Duket si një përjetësi në fakt, por viti ka qenë 2008.

Mesdita e 15 marsit 2008 – 15 vjet më parë – u shënjua nga një oshëtimë që shkundi gjithë Shqipërinë e më tutje, pasi një fabrikë tërësisht e panjohur deri në atë çast, ku demontoheshin armë të kalibrit të rëndë, shpërtheu masivisht.

Kërpudha e stërmadhe e tymit pushtoi qiellin e Gërdecit dhe mbuloi me hije ndërtesat e një pjese të mirë të Tiranës (duke parë afërsinë me kryeqytetin).

Akoma më shumë u ndje në Vorë, për shkak të afërsisë së dy zonave. Por edhe pse larg, u ndje edhe përtej kufijve.

Pesë vite zgjatën hetimet për çështjen, ndër më të përfolurat politike e mediatike në Shqipëri.

Në korrik të 2013-ës, Gjykata e Lartë vendosi ta mbyllte çështjen “Gërdeci” përfundimisht – me të akuzuarin kryesor, Fatmir Mediun, të padënuar.

Sikur të mos kishte ndodhur asgjë!

Por, historia do ta gjente prapë fillin e saj, gati një dekadë pas.

Në shtator 2021, Gërdeci do të rikthente sytë e të gjithëve për nga vetja, sepse në bankën e akuzave, sërish do të kthehej emri më i lartë i përfshirë në gjithë situatën: Fatmir Mediu.

Afërmendsh, ky i fundit nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat, por e ka përcaktuar gjithë incidentin si “produkt të Qeverisë Berisha”, në të cilën ai bënte pjesë.

Vendimin për rikthimin e hetimeve, ai po ashtu e ka kundërshtuar në vazhdimësi, në çdo strukturë, por pa sukses, pasi Gjykata përfundimisht ka vendosur se dosja, do të kthehet për rigjykim.

Në dritë madje, u kthye edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, pasi u thirr në Prokurorinë e Posaçme SPAK, si person që ka dijeni me atë çfarë ka ndodhur.

Ai tha se “sigurisht nuk kishte ç’të ofronte më shumë nga ato që ka thënë publikisht”.

Gjithsesi, jo domosdoshmërisht çështja është e tillë, në kushtet kur deklarata të mëparshme, nga ish-ortakë në fabrikën e demontimit në Gërdec, kanë ravijëzuar shpesh lidhjet e mundshme ndërmjet pushtetarëve dhe investitorëve.

Më i njohuri ndër ta për shembull, Efraim Diveroli, i cili në kohën e Gërdecit, 21-vjeçar, bënte marrëveshje me zyrtarë shqiptarë, lidhur me tregtinë e armëve.

David Packouz fjala bie, një ish-ortak i Diverolit asokohe, në një podcast të shtatorit 2022, ku është folur për mbi tre orë e gjysmë lidhur me “War Dogs”-at e Gërdecit, e ka thënë hapur se Shkëlzen Berisha ka qenë i përfshirë në këtë çështje.

Mirëpo sot, gjendemi në kushtet kur Prokuroria e Posaçme SPAK, e ka dërguar për gjykim dosjen Mediu, sa i përket Gërdecit.

“Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin”.

Është e qartë se këtu, detajet referohen në lidhje me çështjen penale të shpërdorimit të detyrës dhe gjithashtu bëhet me dije se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

AEY-ja, është pikërisht kompania ku ka qenë aksioner edhe Packouz, i cili ishte partner i Diverolit në atë kohë dhe pretendimet e tij se Shkëlzen Berisha ka lidhje dhe dijeni të mëdha mbi çështjen, nuk mundet të anashkalohen në këto kushte.

Në këtë kuadër, ashtu si Berisha, për dëshmi është thirrur në fillim të vitit edhe Mediu, për të dëshmuar në SPAK.

Në lidhje me këtë, ky i fundit deklaroi se i njëjti fashikull me të mëparshmin, i është paraqitur, pa asnjë ndryshim. Gjë që sipas tij, e kthen në nul gjithë procedurën.

Veçse këtë herë, “në detyrë” thirret edhe Kodi Penal Ushtarak, duke qenë se Mediu ka qenë ministër i Mbrojtjes asokohe dhe përgjegjësia e tij trajtohet në aspektin ushtarak, sepse pavarësisht se rangu është në rrafshin ministror dhe atë brenda Forcave të Armatosura, bashkëpunimi është qartësisht me aktorë brenda strukturës ushtarake shqiptare.

SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj Fatmir Mediut

Në bazë të nenit 2 të Kodit Penal Ushtarak, i ndryshuar në vitin 2022, “Për shtetasin shqiptar që kryen një vepër penale ushtarake në bashkëpunim me një ushtarak shqiptar do të zbatohet Kodi Penal Ushtarak i Republikës së Shqipërisë”.

I tillë është edhe Mediu, ku edhe pse me një akuzë “të vjetër”, trajtimin në Gjykatë do ta ketë të ri.

Efektin më pas, duhet pritur për ta parë, nëse do të jetë i ndryshëm apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore