Lajme

Aktivistët filipinas nxitojnë të ruajnë të dhënat e mizorive të Ferdinand Marcos Sr


Nga dyshemeja në tavan, kutitë prej kartoni formojnë rreshta të rregullta përgjatë korridoreve të ngushta të dhomës së arkivit.

Brenda janë të dhënat personale të mijëra viktimave të mizorive të kryera nën sundimin e diktatorit filipinas Ferdinand Marcos Sr.

Shifrat më të ulëta janë rastet më pak skandaloze.

Kurse ato të etiketuara me një numër nëntë ose dhjetë, përmbajnë përshkrimet më të tmerrshme të përdhunimeve, torturave dhe zhdukjeve.

“Detyra ime tani është që, me gjithë të vërtetën, të gjitha provat, të ruajë të dhënat”, ka thënë Carmelo Victor A Crisanto, drejtori ekzekutiv i Komisionit Përkujtimor të Viktimave të Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut, i cili menaxhon arkivat.

Ai është i fokusuar në digjitalizimin e dosjeve të rasteve të viktimave, në mënyrë që ato të mbrohen dhe të jenë më të aksesueshme për studiuesit.

Kohët e fundit, puna e tij ka marrë një urgjencë edhe më të madhe.

Muajin e kaluar, Ferdinand Marcos Jr, djali i diktatorit të ndjerë, arriti një fitore dërrmuese në zgjedhjet presidenciale, pas një rritjeje të keqinformimeve në internet që lavdëruan sundimin e babait të tij.

Akademikët, aktivistët dhe të mbijetuarit e regjimit të tij i frikësohen shtrembërimit të mëtejshëm të historisë, madje edhe zhdukjes së të dhënave historike, sapo familja të rikthehet në detyrë.

Shumë prej tyre, në javët pas rezultatit të zgjedhjeve, kanë nxituar për të mbrojtur të kaluarën e vendit.

Dyqanet kanë shitur librat e historisë, ku përshkruhen plaçkitjet dhe abuzimet që ndodhën gjatë epokës së Marcos, ndërsa 1 mijë e 700 akademikë kanë nënshkruar një manifest që premton të mbrojë të vërtetën dhe lirinë akademike.

Profesori Francis Gealogo, i cili ndihmoi në organizimin e manifestit, e ka krahasuar nxitimin e vendit të tij për të ruajtur historinë me blerjen e ushqimit nga paniku.

“Pas zgjedhjeve patëm fenomenin e pazakontë të blerjes në panik të librave në lidhje me gjendjen ushtarake”, ka treguar ai.

“Njerëzit ishin vërtet të shqetësuar se, edhe shtypja e këtyre librave, mund të mos lejohet më”, ka shtuar Gealogo.

Disa librari, edhe para zgjedhjeve, u etiketuan me etiketë të kuqe, gjë që mund të çojë në ngacmime ose dhunë vdekjeprurëse.

Universitetet dhe intelektualët e shquar kanë qenë gjithashtu subjekt i etiketimeve të kuqe.

Këto të fundit bëhen ndaj zërave kritikë që shihen si komunistë, qoftë zyrtarisht nga autoritetet ose jo zyrtarisht nga anëtarët e komunitetit.

Marcos Jr nuk ka kërkuar kurrë falje për abuzimet apo për korrupsionin e të atit. Në vend të kësaj, ai ka minimizuar mizoritë e kaluara.

Për vite me radhë, mediat sociale janë përmbytur me histori të rreme, me të cilat qeverisja e babait të tij portretizohet si koha kur ekonomia lulëzonte dhe shoqëria ishte e rregullt.

Por ai ka mohuar se ka ndonjë rrjet të koordinuar për të nxitur pretendime të tilla.

“Jemi vërtet shumë të shqetësuar për përkeqësimin e arsimit historik dhe vetëdijen e përgjithshme historike të popullatës së përgjithshme”, ka thënë Gealogo.

Sakaq, zëdhënësi i tij ka shmangur pyetjet e medias nëse ditët përkujtimore që shënojnë shpalljen e ligjit ushtarak që përmbysi Marcos Sr do të përkujtohen nën sundimin e djalit të tij.

Këtë vit, një muze përkujtimor, i cili do të paraqesë ekspozita mbi ligjin ushtarak, do të ndërtohet në terrenin e kampusit Diliman të Universitetit të Filipineve në Quezon City, institucion qeveritar.

 

Komisioni Përkujtimor i Viktimave të Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut është një agjenci qeveritare.

Është e mbrojtur me ligj, sipas Crisanto, por mund edhe të vdesë nga uria prej buxhetit modest me të cilin financohet.

Crisanto ka arritur t’i digjitalizojë të dhënat, duke bashkëpunuar me universitete, studentët e të cilëve asistuan projektin si pjesë e punës së tyre në komunitet.

Kjo ishte një përvojë emocionale për ata që morën pjesë.

Dosjet e digjitalizuara kanë të bëjnë me 11 mijë e 103 individë që siguruan dëmshpërblime nga Bordi i Kërkesave të Viktimave të të Drejtave të Njeriut, i cili filloi punën e tij në vitin 2014 dhe që atëherë është mbyllur.

Kështu, numri i vërtetë i viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, sipas Crisantos.

Teksa komisioni përkujtimor ka bërë përparim në mbështetjen e dokumenteve, akademikët kanë thënë se gjetkë, të dhënat e ndjeshme ekzistojnë vetëm në kopje fizike të vetme.

Madje, ka mundësi që materiale t’u sekuestrohen edhe institucioneve private.

Në Filipine ekziston një shoqëri civile e gjallë që është e vendosur të mbrojë të vërtetën, sipas Gealogo.

Por që “është e vështirë nëse ka një përpjekje institucionale të qeverisë për avancimin e revizionizmit negativ historik”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore