Lajme

Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë


Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provove, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë V.M dhe A.A.

Të dy po akuzohen për veprën penale, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” si dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Në këtë njoftim thuhet se më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në Stacionin policor të Fushë Kosovës, të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policor, në bashkëkryerje, e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin L.H.

Përderisa të pandehurit e kishin ndaluar të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik.

Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të paraqitej në stacionin policor, i cili pasi kishte arritur në stacion, të njëjtin e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer dhe cenuar dinjitetin”.

“E pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë e më pas me shkelma e grushte në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndryshe, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore