Sport

Akil Gjakova lë pas problemet jashtë sportit, përfaqëson Kosovën në Evropianin e xhudos


Akil Gjakova

Xhudisti Akil Gjakova do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian për Senior që do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë nga 25-27 prill.

Ky muaj ka qenë plot zhvillime jashtë sportit për Gjakovën. Ai fillimisht u akuzua nga bashkëshortja për dhunë në familje dhe një javë parë e arrestua teksa hynte në territorin e Kosovës.

Akili u arrestua më 17 prill në pikën kufitare të Vërmicës dhe u mbajt në ndalim 48-orësh. Megjithatë, xhudisti asnjëherë nuk pranoi se kishte ushtruar dhunë në familje, ndonëse bashkëshortja e tij shpërndau në media disa foto me shenja dhune.

“Dua të theksoj se nuk kam kryer asnjë krim, veçanërisht kundër bashkëshortes sime. Megjithatë, pasi jam aktualisht jashtë Kosovës dhe nuk mund të kthehem. Nuk jam person i dhunshëm, dhe nuk kam shkaktuar dëme. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjet e paraqitura në fotot e qarkulluara në media, dhe kjo shpejt do të provohet”, shkroi Akili disa orë para ndalimit të tij.

Mësohet se çifti janë në një proces divorci, ku ndarja është kërkuar nga vetë Gjakova.

Pavarësisht kësaj çështjeje, jo pak e rëndësishme, Gjakova do të vijojë të përfaqësojë dhe mbrojë ngjyrat e Kosovës në garat ndërkombëtare.

Akili do të jetë pjesë e sportistëve nga Kosova që do të garojnë në Evropinian e xhudos më 25-27 prill. Si gjithmonë, ai do të tentojë të marrë maksimumin në kategorinë e tij (-73 kilogramë).

Përveç Akilit, Kosova do të përfaqësohet edhe nga Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Dardan Cena dhe Loriana Kuka.

Ekipi kosovar është nën udhëheqjen e trajnerit legjendar, Driton Kuka dhe trajneres Majlinda Kelmendi.

Distria dhe Flaka ndeshen ditën e parë, kurse ditën e dytë ndeshet Akili dhe Dardani. Loriana ndeshet ditën e tretë.

Në Kampionatin Evropian të Zagrebit do të marrin pjesë 427 garues nga 47 shtete të ndryshme. 240 prej tyre janë meshkuj dhe 187 femra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore