Lajme

AKI njoftoi për dy grupe paramilitare që po përgatisin trazira para zgjedhjeve në Veri – Ekspertët vlerësojnë rrezikun


Foto nga Albanian Post

Agjencia Kosovare për Inteligjencë ka kuptuar se në një bazë ushtarake serbe në Rashkë dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar Veriun në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.

Në këtë zonë afër kufirit me Kosovën, pjesëtarë të ashtuquajturës “Organizatë për Mbrojtje Civile” po trajnohen për gjuajtje me armë e taktizime.

Pas këtyre paralajmërimeve, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se institucionet e sigurisë duhet të jenë të gatshme për çdo situatë.

“Serbia do mundohet që të krijojë një destabilitet për mos të lejuar të mbahen zgjedhjet”, tha Qalaj për Albanin Post.

Prandaj, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, insiston që pjesa e inteligjencës dhe policisë “duhet të jenë vigjilentë” për skenar të ndryshëm.

Musliu: AKI-ja ka informacione se dy grupe në Rashkë po trajnohen për ta destabilizuar Veriun

Paralajmërimi i AKI-së nuk e ka befasuar ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastratin.

“Serbia në vazhdimësi është e interesuar që të pengojë dhe destabilizojë Kosovën”, thotë ai.

“Krejt kjo ngjarje ndodh me bekimin dhe miratimin e Vuçiç-it, sepse ai dëshiron nëpërmjet Listës Serbe dhe grupeve kriminale që mos t’i lejojë zgjedhjet në veri të Mitrovicës. Ajo që ka paralajmëruar AKI është shumë e saktë”,  shtoi Kastrati për AP.

Në anën tjetër, profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, përkundër informacioneve, thotë se “nuk shoh ndonjë seriozitet, pasi orkestrimi ka qenë gjithmonë nga Beogradi”.

Sipas tij, s’bëhet destabilizim i Veriut, nëse politika ngjan stabile.

“Proceset politike diktojnë edhe sigurinë në Veri”, thotë ai.

“Për mua konflikti i mundësh ka kaluar, aq më pak tani mund të ketë ndonjë konflikt serioz pasi kemi dakordimin e Kosovës dhe Serbisë në Ohër”.

“Gjithsesi, Qeveria e Kosovës duhet ta ngritë nivelin e gatishmërisë. Provokime mund të ketë, si të shtëna me armë, por ato janë të pritshme dhe jo shumë serioze për ta destabilizuar vendin”.

Djegia e veturave në Veri.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar në Veri të Kosovës janë djegur rreth tetë makina nën zotërim të serbëve të cilët kishin vendosur t’i konvertojnë targat e tyre nga ato ilegale “KM” në ato legale “RKS”.

Dëmtimi i pronës private kishte shkaktuar reagime të shumta si nga kori diplomatik ashtu edhe nga zyrtarë institucionalë.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë dënuar ashpër shkatërrimin e pronës private, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale.

Të njëjtit kanë bërë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore