Shqipëria

Akademia e Shkencave – më 28 janar – organizon takimin “Ismail Kadare”


Një event për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, është menduar të mbahet nga Akademia e Shkencave në ditën e tij të lindjes.

Eventi shkencor-promovues me temë “Ismail Kadare, një disidencë letrare” do të zhvillohet më datën 28 janar 2022, ora 11:00 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda”.

Në të do të prezantohet ekspozita e botimeve të Ismail Kadaresë.

Pjesëmarrës do të jetë studiuesi Jean-Paul Champseix, autor i librit Ismaïl Kadaré – une dissidence littéraire (nominuar për çmimin “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”), shqipëruar nga Irena Rambi e Bashkim Shehu.

Veprimtaria do të drejtohet nga akademikët: Pëllumb Xhufi, Saverina Pasho dhe Ylljet Aliçka.

Fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Në këtë aktivitet do të mbajnë kumtesë edhe studiuesi Jean-Paul Champseix, akademiku Matteo Mandalà, Bashkim Shehu, Ilia Lëngu, Irena Rambi, Ilir Yzeiri.

Pas kumtesave do të bëhet Shpallja e Vitit të akademizmit shqiptar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Gjithashtu do të prezantohet ekspozita e botimeve të Ismail Kadaresë (një bashkëpunim midis Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Bibliotekës Kombëtare, Shtëpisë Botuese “Onufri” dhe Shtëpisë Botuese “Fan Noli”).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore