Sport

Ajax shkrin trofeun e “Eredivisie” për të nderuar tifozët


Klubi holandez Ajax, ka bërë një gjest shumë interesant, për t’i nderuar tifozët të cilët i munguan gjatë këtij sezoni që skuadra nga Amsterdami u kurorëzua me titullin kampion.

Ajax ka vendosur ta shkrijë trofeun e tyre si kampion në “Eredivisie” në mënyrë që ta shndërrojnë atë në 42 mijë yje të vegjël argjendi, për t’i dërguar si dhuratë për secilin nga tifozët që kanë bileta sezonale.

Të gjithë këta tifozë do të mbajnë për kujtim nga një yll të vogël argjendi, për të përkujtuar titullin e 35-të kampion të klubit të tyre të zemrës.

Drejtori i përgjithshëm i klubit të Ajaxit, Edwin van der Sar, tha se këtë trofe do t’ia dedikojnë tifozëve, të cilët iu munguan aq shumë në shkallët e stadiumit.

“Edhe pse shumicën e ndeshjeve të këtij sezoni e kemi luajtur pa tifozët nëpër shkallët e stadiumit, ne përsëri kemi ndjerë mbështetjen e tyre në çdo javë”, tha Van der Sar.

“Më parë kur thamë ‘ky titull është për ty’ ne ishim duke shqyrtuar mundësinë se si t’i nderojmë tifozët tanë. Pas një viti të trazuar, ne gjetëm një mënyrë që tifozët të ndihen pjesë e kampionatit tonë”, përfundoi ai.

Kujtojmë që skuadra nga Amsterdami, Ajax fitoi titullin kampion në Eredivisie, tre javë para se të përfundojë kampionati holandez.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore