Lajme

“Airbus” dhe “Boeing” shprehin shqetësime për ndërhyrjen e rrjetit 5G


Gjigantët e ndërtimit të avionëve “Airbus” dhe “Boeing” paralajmëruan të martën se industria e aviacionit amerikan ishte “e shqetësuar” në lidhje me ndërhyrjen e mundshme të rrjeteve 5G me pajisjet jetike të sigurisë së fluturimit.

Ndërhyrja rriti presionin mbi rregullatorët amerikanë në një mosmarrëveshje midis linjave ajrore dhe operatorëve celularë mbi futjen e teknologjisë së internetit me shpejtësi të lartë në SHBA.

Shefi ekzekutiv i “Airbus Americas”, Jeff Knittel, dhe shefi i “Boeing”, David Calhoun, bashkënënshkruan një letër drejtuar sekretarit Amerikan të Transportit, Pete Buttigieg, ku “detajonin shqetësimet e përbashkëta të industrisë së aviacionit amerikan për zbatimin e rrjetit 5G në Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi për “AFP”.

Logoja e kompanisë Boeing

‘Airbus’ dhe ‘Boeing’ kanë punuar me aktorë të tjerë të industrisë së aviacionit në SHBA për të kuptuar ndërhyrjen e mundshme 5G me lartësimatësit e radios”, thuhet në deklaratë.

“Boeing” tha se industria e hapësirës ajrore ishte e përqendruar në “vlerësimin dhe adresimin e plotë të potencialit për ndërhyrje 5G me lartësimatësit e radios”.

“Ne po bashkëpunojmë me autoritetet e aviacionit, drejtuesit e qeverisë, linjat ajrore dhe grupet e industrisë për të garantuar sigurinë e vazhdueshme operacionale të avionëve në të gjithë sistemin e aviacionit në mbarë botën”, shtoi ajo në një deklaratë.

Një Airbus A380

Operatorët kryesorë të telekomunikacionit “Verizon” dhe “AT&T” do të fillonin përdorimin e brezave të frekuencave 3.7-3.8 GHz më 5 dhjetor, pasi morën licenca me vlerë miliarda dollarë në shkurt.

Por ata e shtynë nisjen në nëntor pasi rregullatori amerikan i aviacionit shprehu shqetësime për ndërhyrjen e mundshme të sinjaleve 5G me lartësimatësit.

Administrata Federale e Aviacionit kërkoi informacione të mëtejshme, në lidhje me instrumentet, të cilat mund të përdorin të njëjtat breza frekuencash si 5G.

FAA gjithashtu prodhoi direktiva që kufizojnë përdorimin e lartësimatësve të radios në situata të caktuara, duke shkaktuar frikën e linjave ajrore amerikane mbi kostot e mundshme.

Një avion Boeing 737 Max

Në nëntor, “Verizon” dhe “AT&T” i shkruajtën Komisionit Federal të Komunikimeve, duke konfirmuar qëllimin e tyre për të filluar vendosjen e 5G në janar të vitit 2022.

Por ata thanë se do të merrnin masa paraprake shtesë përtej asaj që kërkohet nga ligji amerikan deri në korrik 2022, ndërsa FAA të përfundonte hetimin e saj.

Konflikti midis rrjeteve 5G dhe pajisjeve të avionëve bëri që autoritetet franceze të rekomandojnë fikjen e telefonave celularë me 5G në avionë në shkurt.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Francës tha se ndërhyrja nga një sinjal në një frekuencë të afërt në lartësimatësin e radios me fuqi të ngjashme ose më të madhe do të shkaktonte gabime “kritike” gjatë uljes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore