Lajme

AGK dënon “gjuhën linçuese” të deputetit Artan Abrashi ndaj Albanian Post


Foto: Albanian Post.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka dënuar gjuhën linçuese të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ndaj mediumit Albanian Post.

Nga AGK-ja është thënë se Abrashi ka përdorur “gjuhë linçuese”.

“Deputeti i shumicës parlamentare, Artan Abrashi i Vetëvendosjes ka përdorur gjuhë linçuese sot ndaj portalit ‘Albanian Post’, pas publikimit të shkrimit që paralajmëron sanksione të mundshme kundër kryeministrit Albin Kurti, dhe të tjerëve rreth situatës në veri. Një shkrim i ngjashëm është publikuar edhe në ‘Euroneës Albania’”, thuhet në përshkrim të AGK-së.

Sipas AGK-së, një etiketim i tillë e rrezikon sigurinë e të gjithë gazetarëve.

Kërkesë e tyre ka qenë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të distancohet nga sulme të tilla.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër gjuhën e përdorur nga Abrashi, dhe konsiderohen se një etiketim i tillë rrezikon seriozisht sigurinë e të gjithë gazetarëve, dhe punonjësve të tjerë të këtij mediumi. AGK-ja, e fton kryeministrin Kurti që të distancohet nga sulme të tilla të njerëzve të qeverisë dhe partisë që udhëheq ndaj mediave dhe gazetarëve”, thuhet në reagim të AGK-së.

Nuk është hera e parë që nga deputet në pushtet vjen një gjuhë e tillë linçuese.

Raste të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën gjatë qeverisjes Kurti.

Në shtator të 2021, AGK-ja kishte shprehur shqetësimin edhe për kërcënimin ndaj mediumit Albanian Post nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu”.

“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës”, thuhej në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, Kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe “kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore