Zgjedhjet në Kosovë

Agjencia e Ushqimit shqiptoi 88 gjoba për shkelje të masave anti-COVID-19, në mesin e tyre edhe për fushatën e partive


Ilustrim

Përkundër një dakordimi në mes partive politike, përjashto Vetëvendosjen, që fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë të bëhet vetëm pesë ditë, kjo s’ka ndodhur në praktikë.

Rregullat që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës janë shkelur nga të gjitha partitë politike.

88 gjoba janë shqiptuar për këtë fushatë në lidhje me grumbullimet që kanë ndodhur nga partitë politike, duke rrezikuar shëndetin.

Sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, “nga data 8 deri me 14 janë shqiptuar 88 gjoba për personat juridik në mes tyre edhe për fushatë. Në regjionin e Pejës ku përfshihet edhe Gjakova janë shqiptuar 5 gjoba për parti politike”.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi

“Deri më tani nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë disa gjoba të shqiptuara për subjektet politike si shkelës të masave në mbajtje të fushatës”, ka thënë Thaçi për Albanian Post.

Thaçi ka thënë se gjobat shqiptohen vetëm duke u bazuar në gjendjen faktike.

“Inspektorët sipas mandatit ligjorë shqiptojnë gjobë vetëm për shkeljet që evidentohen gjatë inspektimit, duke evidentuar gjendjen faktike”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në ligjet e Kosovës është i vetmi institucion që ka në përgjegjësi shqiptimin e gjobave në rast të pandemie.

Me vendimet e Qeverisë së Kosovës i është dhënë e drejta edhe Policisë së Kosovës të shqiptojë gjoba.

Ndërsa, e premtja, ka qenë dita e fundit kur partitë politike që garojnë për Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit t’i shpalosin programet e tyre qeverisëse për katër vitet e ardhshme.

Por, edhe pse jemi në një situatë pandemie ku ende virusi COVID-19 është prezent në Kosovë, partitë politike po i shkelin masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës kundër luftimit të pandemisë.

Ndërkaq, për zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 89 subjekte politike, nga të cilat 32 janë parti politike, një koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale është 5364 kandidatë, nga ta janë 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona, ku mbi 41 prej tyre do të votojnë për herë të parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore