Lajme

Agjencia amerikane e spiunazhit dërgon një tjetër satelit në hapësirë


Zyra Kombëtare e Zbulimit të SHBA-ve nisi gjatë javës misionin e saj NROL-199 – i dyti i këtij lloji në më pak se një muaj.

“NRO ka një trashëgimi të gjatë inovacioni dhe nisja e dy misioneve në më pak se një muaj nga një vend jashtë shtetit është një shembull tjetër i përparimit tonë”, tha në një deklaratë Koloneli Chad Davis, i cili drejton Zyrën e Nisjes Hapësinore të agjencisë.

Lajmi u bë i ditur nga faqja e specializuar “Defense News”.

Misioni satelitor NROL-199, i drejtuar në partneritet me Departamentin e Mbrojtjes të Australisë, u lëshua me një raketë Electron Lab Rocket.

Nisja u bë nga Gadishulli Mahia në ishullin e Veriut të Zelandës së Re.

Ngjarja pason misionin NROL-166, i cili nisi më 13 korrik nga i njëjti gadishull.

NRO-ja nuk e specifikoi ngarkesën.

Megjithatë, siç ishte planifikuar fillimisht, të dyja misionet do të ishin zhvilluar edhe më shpejt.

Nisja e dytë ishte planifikuar për 22 korrik – nëntë ditë pas lëshimit të parë – por u vonua me dy javë, së pari sepse NRO kishte nevojë të përditësonte softuerin e ngarkesës, dhe më vonë për shkak të erërave të forta.

Agjencia Hapësinore e Zelandës së Re licencoi lëshimin dhe Rocket Lab, kompania private që ndërtoi raketën, ishte ofruesi i lëshimit.

Misionet NROL-166 dhe NROL-199 të kësaj vere janë lëshimi i tretë dhe i katërt i Rocket Lab Electron nga Zelanda e Re, respektivisht, me dy lëshime të mëparshme që ndodhën më 31 janar 2020 dhe 13 qershor 2020.

NRO-ja është një agjenci e Pentagonit që projekton, ndërton dhe operon satelitë spiunazhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore