Lajme

Afganistan, zgjedhje të parakohshme pas planit për paqe


Presidenti afgan, Ashraf Ghani, do të propozojë të mbahen zgjedhje të reja presidenciale brenda gjashtë muajve, nën paktin e paqes që ai do të propozojë si kundërpërgjigje ndaj amerikanëve. Këtë e kanë bërë të ditur dy qeveritarë të lartë afganë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ghani do të zbulojë propozimin e tij në një mbledhje ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet në Turqi muajin e ardhshëm. Ky është një sinjal se marrëveshja e propozuar nga Washington-i do të refuzohet.

Këta të fundit kishin kërkuar zëvendësimin e qeverisë së tij me një administratë të përkohshme.

SHBA-ja pranoi vitin e shkuar të hiqte trupat e saj nga Afganistani pas dy dekadash prezencë. Kjo pritet të ndodhë më 1 maj. Përpjekjet amerikane janë për t’i dhënë fund luftës midis qeverisë afgane dhe talibanëve.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Afganistan, Zalmay Khalilzad, ka qarkulluar një propozim për zëvendësimin e qeverisë me një të përkohshme teknike.

Por, Ghani nuk pranon asnjë pakt që e heq atë nga pushteti. Zgjidhja e vetme do të jetë ajo e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas propozimeve të një traktati të hartuar nga ai vetë.

“Propozimi, që do të çojmë në Stamboll, do të përfshijë edhe zgjedhjet e parakohshme. Kjo, vetëm nëse talibanët pranojnë armëpushimin”, theksoi një nga zyrtarët afganë.

“Presidenti nuk do të pranonte asnjëherë të dorëhiqej”, nënvizoi tjetri. “Qeveria e ardhshme duhet të vijë falë zgjedhjeve të rregullta demokratike, jo një ujdie politike”.

Sipas burimeve të Reuters-it, ky plan i është prezantuar tashmë të dërguarit amerikan.

Tri ditë më parë, talibanët kanë paralajmëruar SHBA-në se nuk duhet të shkelë afatin e 1 majit për tërheqjen e trupave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore