Lajme

Talibanët: Amerikanët duhet të respektojnë marrëveshjen


Talibanët kanë paralajmëruar të premten e 19 marsit, që Washington mos të shkelë afatin e 1 majit për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Ata e nxorën paralajmërimin e tyre në një konferencë për shtyp në Moskë, pas takimit të negociatorëve dhe qeverisë afgane dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Kjo konferencë u mbajt për të ringjallur procesin e paqes me qëllim që të mbyllet konflikti në Afganistan.

Administrata e Presidentit, Joe Biden, është shprehur se po analizon marrëveshjen e nënshkruar nga administrata e ish-Presidentit, Donald Trump.

Biden u shpreh se afati i 1 majit “mund të bëhet realitet, por do të jetë e vështirë”.

Ndërsa, anëtari i delegacionit të Talibanëve, Suhail Shaheen, tha se “amerikanët duhet të largohen, pasi duhet respektojnë marrëveshjen përndryshe ky veprim do pasohet me reagim”.

Letra e Blinken-it për Ghan

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, me 8 mars ka propozuar një sërë hapash në ndihmë për rifillimin e bisedimeve të bllokuara të paqes midis qeverisë së Afganistanit dhe talibanëve. Propozimi i është dërguar presidentit Ashraf Ghani përmes një letre.

Aty Blinken bën të qartë që administrata e presidentit Joe Biden ka marrë në konsideratë tërheqjen e plotë të 2 mijë e 500 forcave amerikane deri më 1 maj. Kjo, e negociuar nga administrata e Donald Trump-it.

Marrëveshja SHBA-Taliban

1 maji është afati i fundit për çdo tërheqje të mundshme në të ardhmen, si pjesë e marrëveshjes së paqes të arritur midis SHBA dhe talibanëve vitin e kaluar.

Pas dy dekadash ndërhyrjeje ushtarake perëndimore dhe qindra miliarda dollarëve investime, vendet e NATO-s janë të shqetësuara për minimin e progresit drejt demokracisë.

Sulmet në Afganistan, kanë nxitur thirrjet nga anëtarët e Kongresit Amerikan dhe grupeve ndërkombëtare për një shtyrje të tërheqjes së trupave. Për këtë është rënë dakord në kohën kur Donald Trump ishte presidenti i SHBA-ve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore