Lajme

Afër 20 mijë persona të vaksinuar kundër COVID-19


“Rreth 20 mijë persona janë vaksinuar në Kosovë me vaksinën anti-COVID nga kompania AstraZeneca”.

Kështu ka treguar koordinatori i Qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, Niman Bardhi, në një konferencë për media.

Bardhi ka treguar se ende është duke vazhduar vaksinimi i personave të moshës mbi 74 vjeç të shoqëruar me sëmundje kronike, ku sipas tij deri më tani janë vaksinuar mbi dy mijë persona.

“Aktualisht deri më tani që nga data tetë prill, në total janë vaksinuar mbi dy mijë e 930 persona, ku prej tyre të sëmurë me sëmundje kronike kanë qenë mbi një mijë e 311, profesionistë shëndetësorë 191, të moshuar por jo të shoqëruar me sëmundje kronike janë një mijë e 261 dhe personat në dializë 54”, ka thënë ai.

Ai tutje ka sqaruar se në këtë sallë kanë filluar edhe trajnimet e stafit mjekësor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që t’i shohin procedurat se si duhet punuar me qytetarët për vaksinim.

“Kemi kërkuar që të bëjmë përgatitjet dhe trajnimet e tyre, me shpresë për ardhjen e kontingjenteve të reja të vaksinave dhe kur pritet edhe numri i rritjes së madhe të fluksit të popullatës atëherë të kemi ekipin në dispozicion dhe të mos të jemi të sfiduar në mungesë të tyre”, shtoi Bardhi.

Ndërkohë, bazuar në statistikat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 102 mijë e 236 ku 11 mijë e 756 mbesin raste aktive.

Ndërsa sa i përket kontingjentit të parë të vaksinave kundër Coronavirus, në Kosovë ky kontingjent ka arritur më 28 mars, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Mirëpo gjatë muajve në vazhdim pritet që në Kosovë të arrijnë edhe rreth 95 mijë doza të vaksinave anti-COVID, të të cilat financohen nga Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore