Kosova

Von der Leyen: 95 mijë doza të vaksinave do të arrijnë në Kosovë nga muaji maj


“Rreth 95 mijë doza të vaksinave anti-COVID, të cilat financohen nga Bashkimi Evropian do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit”.

Këtë e ka konfirmuar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter.

Ajo është shprehur se KE, do t’i qëndrojë përkrahë partnerëve në Ballkanin Perëndimor, në luftimin e pandemisë COVID-19 duke përfshirë kështu edhe shtetin e Kosovës.

“Ne jemi në këtë së bashku”, është shprehur ajo.

Ndërkohë orë më parë, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për vaksinat anti-COVID, i cili shërben për të hapur rrugën e sjelljes së dozave të vaksinës anti-COVID në Kosovë.

Ndërsa sa i përket kontingjentit të parë të vaksinave kundër Coronavirus, në Kosovë ky kontingjent ka arritur më 28 mars, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore