Muzikë

Adriana Matoshi, do të jetë nikoqire e Festivalit të Këngës në RTSH


Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), i cili këtë vit do të mbahet në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor, ka mbajtur së fundmi edhe konferencën e parë për media, ku ndër të tjerash u zbuluan edhe emrat e nikoqirëve të këtij edicioni.

Në fakt, emri i vetëm i zbuluar si prezantuese e këtij viti në këtë kompeticion muzikor është ai i aktores dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi.

Adriana Matoshi.

“Do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event. Është një sfidë e madhe për mua, por si person mua më pëlqejnë sfidat”, është shprehur Matoshi.

“Mezi po pres që të fillojë festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë”, ka shtuar ajo.

Gjithsesi, ekipi i realizimit të festivalit të këtij viti përbëhet nga Bojken Lako, drejtori artistik, Enkel Demi si skenarist, kantautori Elton Deda, regjisori Pali Kuke si dhe deri më tani e vetmja prezantuese e zbuluar, Adriana Matoshi.

Festivali i Këngës së këtij viti shënon edicionin e 62-të, derisa vitin e kaluar fituese në këtë garë muzikore ishte Albina dhe Familja Kelmendi.

Ata arritën të triumfojnë me këngën “Duje”, me të cilën po ashtu e përfaqësuan Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”.

Albina Kelmendi dhe familja e saj kanë arritur të renditen vetëm në vendin e 22-ë në garë, teksa të njëjtin edicion e ka fituar Suedia, me këngëtaren Loreen dhe këngën e saj “Tattoo”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore