Sport

Ademi paraqitet në polici, po intervistohet


Policia e Kosovës është duke e intervistuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin.

I pari i FFK-së është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor dhe organet e rendit janë duke u marrë me këtë punë.

“Të gjitha procedurat e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të martën, organet e rendit e kishin ftuar Ademin që ai të intervistohet gjatë ditës së sotme.

Arsyeja zyrtare ende nuk dihet se për çka po bëhet ky intervistim, por mediat në Kosovë shkruajnë se Ademi po dyshohet për krime ekonomike brenda FFK-së.

Gjatë ditës së djeshme u raportua për arrestimin e tij, por më vonë ky lajm u mohua nga vetë Policia e Kosovës.

Kujtojmë që para pak ditësh, Ademi ishte shpallur i pafajshëm për një aktakuzë që e lidhte atë që nga viti 2012.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Ademit dhe Muharrem Rama, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore